Ka ndërruar jetë profesori Peter Kopacek

05/03/2024

Me pikëllim të thellë ju njoftojmë se ka ndërruar jetë profesori Peter Kopacek. Profesori Kopacek dha një kontribut të veçantë nga fillimet e UBT-së, si dhe në zhvillimin dhe ndërkombëtarizimin e institucionit dhe të Kosovës në përgjithësi.

Profesori Kopacek ka mbështetur fuqishëm UBT-në në perspektivën e tij ndërkombëtare, duke kontribuar në mënyrë direkte për zhvillimin e arsimit dhe edukimit të brezave në këtë institucion. Profesori Kopacek gjithashtu ishte pjesë e konferencave të UBT-së, duke ofruar ekspertizat e tij profesionale, si dhe duke e ndarë përvojën e tij me studentët.

UBT vite më parë për kontributin e jashtëzakonshëm që ka dhënë për zhvillimin e UBT-së prej themelimit, si shenjë respekti nderoi profesorin Kopacek me Çmimin më të lartë që parasheh Statuti i UBT-së, “Leadership Excellence Award”.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi i ka shprehur ngushëllime të sinqerta familjes Kopacek, dhe të gjithë atyre që e njohën dhe punuan me profesorin.

Nesër, duke filluar në ora 11:30 në UBT, në nderim të jetës dhe veprës së profesorit Peter Kopacek do të mbahet mbledhje komemorative.