Jeta Xharra ndan përvojën e saj me studentët e Medias dhe Komunikimit

12/01/2017

Jeta Xharra ndan përvojën e saj me studentët e Medias dhe Komunikimit

Gazetarja e njohur kosovare, Jeta Xharra, të enjten ka mbajtur ligjëratë për studentët e vitit të dytë, të drejtimit Media dhe Komunikim në UBT.
Ndër tjerash, ajo i këshilloi dhe i informoi studentët për sfidat dhe rreziqet që i kanosen gazetarëve, për format e gjetjes dhe trajtimit të burimeve të lajmit, për mënyrat e intervistimit, metodat që duhet përdorur për shmangien e rreziqeve e kërcënimeve eventuale gjatë procesit të punës etj.


Duke folur për përvojën e saj të marrë gjatë punës në BBC, Xharra tha se hulumtimi është procesi më i rëndësishëm për të fituar besimin e publikut. 
“Gazetaria është profesion i vështirë, por e rëndësishme është që të tregosh sinqeritet, paanshmëri dhe të fitosh reputacion të mirë në publik”, tha ajo, teksa tregoi biografinë dhe vështirësitë për të arritur suksesin e dëshiruar.
“Suksesi i arritur dhe fitimi i besimit të publikut më ka marrë shumë kohë, përkushtim dhe mjete financiare, por nuk jam dorëzuar asnjëherë sepse është shumë e rëndësishme që të dëgjohen dhe të vlerësohen pyetjet dhe zëri i publikut”, theksoi Xharra.

 

Në fund të ligjëratës, ajo i ftoi studentët të bëhen pjesë e praktikës dhe t’i bashkohen ekipit të gazetarëve, të cilët punojnë në kuadër të emisionit televiziv “Jeta në Kosovë”.
Ligjërata përfundoi me një debat, në të cilin studentët shtruan pyetje në lidhje për rreziqet dhe sfidat e gazetarisë hulumtuese, për sigurinë dhe përkrahjen që u ofrohet gazetarëve, për mbrojtjen e gazetarëve hulumtues nga shtëpitë mediale, si dhe për zhvillimet e fundit politike në vend.