Ish-studentja e UBT-së, Lea Krajkova ka filluar punën si gazetare e emisionit “Mirage” në televizionin T7

06/10/2022

Ish-studentja e Fakultetit Media dhe Komunikim në UBT, Lea Krajkova pas suksesit të treguar në studime dhe angazhimit të saj në praktika profesionale, tani është punësuar në cilësinë e gazetares së terrenit në emisionin “Mirage” në televizionin T7, për të realizuar vox-pop, intervista dhe për të përcjellë ngjarje të ndryshme.

Sipas ish-studentes Lea Krajkova, studimet në Fakultetin Media dhe Komunikim kanë qenë mjaft sfiduese, por njëkohësisht edhe të dobishme, duke bërë që nga njohuritë e fituara përgjatë studimeve dhe përvojave të ndryshme të përgatitet profesionalisht për të qenë e gatshme për t’u kyçur në tregun mediatik vendor.

“Studimet akademike në UBT ishin mjaft sfiduese, por edhe shumë të vyeshme për mua. Në UBT mësova shumëçka rreth drejtimit Media dhe Komunikim, kjo gjë më ka ndihmuar shumë, që për një kohë të shkurtër profesionin ta praktikoj edhe në disa prej mediave tona në vend. Sot, falë studimeve dhe profesorëve, gjithçka për mua u bë më e lehtë”, ka thënë Krajkova.

Infrastruktura e UBT-së e pajisur me teknologjitë më të fundit, stafi i kualifikuar dhe emrat më eminent të gazetarisë, si dhe hapësira për të krijuar dhe promovuar punime, artikuj dhe hulumtime, sipas Leas janë ndër veçantitë më kryesore, të cilat ndihmojnë dhe zhvillojnë profesionalisht studentët e Fakultetit Media dhe Komunikim në UBT.

“Studimet e veçanta në UBT i bëjnë praktikat e shumta që ne kemi pasur, duke përfshirë këtu radion, televizionin, dhe po ashtu vizitat e shumta në televizione që janë në vendin tonë, nga kjo unë personalisht kam mësuar shumë dhe më ka lehtësuar shumë punën gjatë studimeve. Tjetër e veçantë është se profesorët janë shumë të kuptueshëm dhe të japin shumë mbështetje që edhe në kohën e studimeve të punojmë dhe profesionin ta praktikojmë më herët”, është shprehur Krajkova.

Fakulteti Media dhe Komunikim në UBT vazhdimisht mbështetë dhe inkurajon studentët që dëshirojnë të punojnë në mediat vendore dhe ndërkombëtare, dhe tashmë është dëshmuar edhe me mbi 90 për qind të numrit të studentëve që janë punësuar gjatë dhe pas studimeve.