Ish-studentja e UBT-së, Blerina Reçica pranohet për studime master në Universitetin e Salzburgut, në Austri

04/08/2022

Ish-studentja e Fakultetit Shkenca Politike në UBT, Blerina Reçica do të vazhdojë studimet master me bursë të plotë në Universitetin e Salzburgut, në Austri, përmes programit PoSIG, pjesë e së cilit është edhe UBT.

 

Pas përfundimit të ciklit të studimeve bachelor në Fakultetin Shkenca Politike në UBT, Blerina vlerëson se angazhimi dhe profesionalizmi i stafit akademik të këtij fakulteti e kanë ndihmuar që ajo të realizojë planet dhe qëllimet për studimet master.

 

“Periudha e studimeve në UBT ishte koha kur aftësimi im profesional mori bazat e forta që i duhen çdo studenti për karrierën e tij. Gjatë këtyre 3 viteve kam njohur shumë profesorë e studentë, puna e të cilëve më ka motivuar e më ka mësuar shumë në aspektin e profesionit tim të ardhshëm si diplomate”, ka thënë Reçica.

 

Ajo ka theksuar se studimet në Fakultetin Shkenca Politike, kanë qenë të veçanta për shkak edhe të gërshetimit të lëndëve teorike me ato praktike, duke i mundësuar që përmes vizitave studimore, punëtorive të ndryshme të shohin dhe të përfitojnë njohuri të reja rreth fushës së politikës.

 

Falë partneritetit dhe bashkëpunimeve të krijuara nga UBT me institucione edukative dhe arsimore në vende të ndryshme të Evropës dhe Amerikës, studentët e UBT-së kanë mundësi të shkëmbejnë njohuri, ide dhe përvoja të mira, si dhe u ka mundësuar që të krijojnë komunikim ndërstudentor.