Ish-studenti i UBT-së gjeneron vende të reja pune në komunën e Lipjanit

28/04/2017

Ish-studenti në Fakultetin e Medias dhe Komunikimit, Besart Troshupa është duke ecur hapave të njëjtë sikurse edhe shumë studentë tjerë të UBT-së, ku qysh në fillim të studimeve, ai ka hapur biznesin e tij, përkatësisht portalin informativ rajonal për komunën e Lipjanit, i cili është i pari i këtij lloji në këtë komunë.


Gjatë menaxhimit të portalit “LipjaniNews”, Troshupa ka arritur që gradualisht t’i zgjerojë kapacitetet, si në mbulueshmëri të territorit me informacione, ashtu edhe me njerëz të punësuar, me ç’rast aktualisht portali i tij numëron gjashtë gazetarë të punësuar dhe disa praktikantë.

 

Duke treguar për rrugëtimin e tij drejt suksesit, ai tha se njohuritë e fituara në UBT i kanë ndihmuar atij në menaxhimin e portalit.


“Që nga regjistrimi në UBT kam përfituar shumë sepse kam arritur të fitojë njohuri të shumta në fushën e medias dhe në atë të menaxhimit”, theksoi Troshupa, teksa sipas tij, i tërë suksesi i tij është i lidhur me përkrahjen dhe profesionalizmin e profesorëve të këtij fakulteti.


“Profesorët e mi kanë qenë shtylla ime kryesore drejt suksesit, duke qenë gjithmonë shumë komunikativë, të përgatitur dhe të gatshëm për të na ndihmuar në çdo kohë”, vlerësoi ai.

 

Ndërkohë, Troshupa nuk po planifikon të ndalet me kaq. Përveç portalit, ai është duke punuar edhe në themelimin e një kompanie të PR-it, e cila do të operojë në komunën e Lipjanit, kjo për arsye se, sipas tij, nevoja për një kompani të tillë ka lindur nga kërkesat e shumta të paraqitura nga bizneset.

 

UBT karakterizohet me një përqindje të madhe të studentëve, të cilët punësohen nëpër kompani të ndryshme menjëherë pas përfundimit të studimeve, ose edhe i themelojnë bizneset e veta, duke krijuar vende pune për vete dhe për të tjerët.