Histori Suksesi: Elsa Cakiqi – Nga UBT drejt përvojës ndërkombëtare në Bullgari përmes Erasmus+

22/06/2026

Studimet në UBT po hapin dyer drejt universiteteve prestigjioze ndërkombëtare, duke u mundësuar studentëve të zhvillojnë potencialin e tyre në ambiente akademike globale. Një nga këto histori frymëzuese është ajo e Elsa Cakiqit, studente e UBT-së, e cila aktualisht po ndjek studimet në kuadër të programit Erasmus+ në Technical University of Sofia, në Bullgari.

Për Elsën, kjo përvojë ka qenë shumë më tepër sesa një shkëmbim akademik. Ajo e konsideron këtë periudhë si një mundësi unike për të zgjeruar horizontet e saj profesionale dhe personale, duke studiuar në një mjedis ndërkombëtar ku bashkëpunimi, inovacioni dhe diversiteti kulturor janë pjesë e përditshmërisë.

“Po kaloj një përvojë shumë të mirë dhe sfiduese njëkohësisht. Kam pasur mundësinë të njoh studentë nga vende të ndryshme, të zhvilloj aftësitë e mia akademike dhe personale, si dhe të bëhem më e pavarur dhe më e sigurt në vetvete”, shprehet Elsa.

Ajo thekson se një rol të rëndësishëm në këtë rrugëtim ka luajtur UBT, i cili i ka ofruar njohuritë dhe përgatitjen e nevojshme për t’u integruar me sukses në një universitet evropian. Sipas saj, kombinimi i mësimit teorik me përvojat praktike, si dhe mbështetja e vazhdueshme nga stafi akademik, kanë qenë faktorë kyç në përgatitjen e saj për sfidat ndërkombëtare.

“UBT më ka ofruar një bazë të fortë akademike dhe praktike, e cila më ka ndihmuar të përshtatem lehtë me sistemin e studimeve jashtë vendit. Gjithashtu, stafi akademik dhe mundësitë që ofron universiteti kanë ndikuar në zhvillimin e aftësive profesionale dhe më kanë përgatitur për sfida ndërkombëtare”, thekson ajo.

Gjatë qëndrimit në Bullgari, Elsa ka pasur mundësinë të punojë në ekipe multikulturore, të përmirësojë aftësitë e komunikimit në gjuhë të huaja dhe të njohë modele të ndryshme të mësimdhënies dhe teknologjisë. Këto përvoja kanë kontribuar jo vetëm në avancimin e saj akademik, por edhe në ndërtimin e një rrjeti të vlefshëm miqësor dhe profesional.

Për studentët aktualë të UBT-së, Elsa ka një mesazh të qartë: të shfrytëzojnë çdo mundësi që universiteti ofron për zhvillim dhe ndërkombëtarizim.

“Do t’i inkurajoja të gjithë studentët të përfitojnë nga mundësitë që ofron UBT, veçanërisht programet e shkëmbimit si Erasmus+. Të mos kenë frikë të dalin nga zona e rehatisë, sepse përvojat ndërkombëtare i ndihmojnë të rriten si profesionalisht ashtu edhe personalisht. Çdo sfidë është një mundësi për të mësuar dhe për t’u përgatitur më mirë për tregun global të punës”, thotë ajo.