Hapet ekspozita “Si u vra Kodi Etik i Hipokratit dhe si u shkelën ligjet ndërkombëtare të luftës”

20/05/2021

Në ambientet e Muzeut Kombëtar të Kosovës, është hapur ekspozita “Si u vra Kodi Etik i Hipokratit dhe si u shkelën ligjet ndërkombëtare të luftës”, e autorit prof.dr. Salih Krasniqi, organizuar dhe mbështetur nga UBT.

 

Kjo ekspozitë është përmbledhur përmes 250 fotografive, të cilat janë vendosur brenda Muzeut Kombëtar të Kosovës, e që shpërfaqin terrorin dhe gjenocidin që forcat serbe dhe një pjesë e personelit shëndetësor serb kanë kryer mbi pacientët shqiptarë.

 

Rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, ka falënderuar profesorin Krasniqi për punën e bërë, duke mbledhur fakte për atë që ka ndodhur në Kosovë në periudhën 1998-1999.

 

“Profesori Krasniqi është dëshmitar i dhunës, krimeve dhe gjenocidit, ku ai përveç trajtimit dhe intervenimeve kirurgjike të qindra pacientëve që kishte kryer në atë kohë, sot po sjellë para nesh fakte dhe prova të pakontestueshme për krimet më mizore të kryera nga forcat serbe në Kosovë”, ka thënë rektori Hajrizi.

 

Nën emocione të kujtesës se çfarë kishte përjetuar 23 vite më parë, Arsim Hasimi, pacient i prof.dr. Salih Krasniqit gjatë luftës në Kosovë, tha se kontributi i profesorit Krasniqi në atë kohë ishte shumë i madh, dhe se kjo ekspozitë më së miri shpalos vuajtjet që kanë përjetuar në atë periudhë.

 

“Në vitin 1998 forcat serbe mua më kanë plagosur shumë rëndë dhe ato vuajtje që kam përjetuar nuk i harroj kurrë. Dr. Salih Krasniqi bashkë me dr. Sadri Bajraktarin dhe të tjerët më kanë ndihmuar shumë, mirëpo forcat serbe vazhdimisht na hapnin plagët të cilat doktorët e nderuar na i kuronin”, ka thënë Arsim Hasimi.

Profesor Ismet Salihu, bashkëpunëtor i profesor Krasniqit, ekspozitën “Si u vra Kodi Etik i Hipokratit dhe si u shkelën ligjet ndërkombëtare të luftës“ e vlerësoi jashtëzakonisht të rëndësishme, duke theksuar se ajo që kjo ekspozitë shpalosë, me të gjitha konventat ndërkombëtare cilësohen si krime ndaj njerëzimit.

 

“Kjo ekspozitë është jashtëzakonisht e rëndësishme, ekspozitë në të cilën shpërfaqën krimet makabre të regjimit serb ndaj mjekëve, personelit mjekësor dhe ndaj pacientëve. Me emër dhe mbiemër në këtë ekspozitë janë të shënuar 19 doktorë, mjekë, dhe 26 infermierë dhe personel tjetër mjekësorë të cilët gjatë luftës u vranë nga forcat policore, ushtarake dhe paramilitare serbe”, tha profesor Salihu.

 

Profesor Halim Hyseni, bashkëpunëtor i profesor Krasniqit, ka thënë se çështja e viktimave të terrorit serb është e vonuar pasi që sipas tij 20 vite në mënyrë institucionale ka pasur heshtje ndaj këtij terrori të bërë, e që ka fakte përmes librave që janë punuar nga autor të ndryshëm.

 

“Ka njerëz të cilët kanë punuar jashtëzakonisht shumë në këtë fushë dhe kemi libra të cilët kanë punuar shumë. Kërkoj nga qeveria me ngulm, që Ministria e Arsimit, Ministria e Kulturës, Ministria e Jashtme, të punojnë me një zell krejt tjetër çfarë kanë punuar deri sot, që t’i kenë librat e botuara për gjenocidin serb dhe ky libër i profesor Krasniqit të përkthehet në 11 gjuhë, dhe të jetë në secilën ambasadë të Republikës së Kosovës, në mënyrë që asnjë ministër, askush që shkon në bisedime me Serbinë të mos shkojë pa këto libra”, tha profesori Halim Hyseni.

 

Prof.dr. Salih Krasniqi i ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit dhe bashkëpunëtorët e tij për këtë ekspozitë

 

“Ju përshëndes të gjithëve, në veçanti pacientët që kanë ardhur nga të gjitha trevat për këtë ekspozitë, personelin shëndetësor me të cilët kam punuar, profesor Sadri Bajraktarin, si dhe të tjerët, të cilët më kanë ndihmuar shumë që këta pacientë sot t’i shoh këtu”, ka thënë prof.dr. Salih Krasniqi.

 

Ekspozita “Si u vra Kodi Etik i Hipokratit dhe si u shkelën ligjet ndërkombëtare të luftës” do të jetë e hapur deri më 29 maj, në Muzeun Kombëtar të Kosovës.