Hap aktivitetin Akademia e Cyber Security, në kuadër të “Global UBT FEST 2020”

23/07/2020

Dhjetëra studentë dhe pjesëmarrës të apasionuar pas Sistemeve të Informacionit, sot kanë filluar të mbajnë sesionet e Akademisë Verore të Cyber Security. Gjatë këtij aktiviteti studentët po kanë mundësi të ndjekin ligjërata nga ekspertë të kësaj fushe nga vendi e nga bota. Në këtë aktivitet të organizuar nga UBT, në kuadër të festivalit “Global UBT FEST 2020”, do të diskutohet kryesisht për temat që ndërlidhen me sigurinë e të dhënave, privatësinë dhe krimin kibernetik.

 

Hapjen zyrtare të akademisë e bëri rektori i kolegjit UBT, prof. dr. Edmond Hajrizi, ku studentëve dhe pjesëmarrësve të tjerë u tha se siguria kibernetike është një temë që nuk duhet neglizhuar, pasi nuk duhet harruar rëndësia dhe roli që siguria kibernetike mbart me vete. Sipas Hajrizit, digjitalizimi ka bërë që gjithçka të mund të personalizohet, kështu duke u mundësuar njerëzve përzgjedhjen e detajizuar në fushat dhe preokupimet që ata përballen gjatë jetës.

 

Rektori Hajrizi më tutje shtoi se, privatësia ende nuk është e sigurtë, dhe se çdo gjë sa i përket sigurisë kibernetike mbetet relative, dhe si pasojë e kësaj nevojitet kuadro profesionale. Është punuar në trajnime dhe çertifikime rreth sigurisë kibernetike si dhe është krijuar një program studimi që lidh ligjin me sigurinë kibernetike, program ky unik dhe i vetmi në ballkan, shtoi Hajrizi.

 

Ndërkaq, Daniel Bohannon, studiuesi kryesor i sigurisë së aplikuar në MANDIANT, me studentët ka ndarë përvojat e tij lidhur me fushën e sigurisë, gjë që ka ngjallë interaktivitet te pjesëmarrësit, për punën dhe aktivitetin e tij. Bohannon, si kryeqendër të diskutimit kishte temën që ndërlidhej me mjetet dhe teknikat e sigurisë kibernetike.