Hakerë nga Kosova dhe rajoni, pjesë e garës për siguri kibernerike “Hack Day Kosova 2018”

11/10/2018

Në objektin e UBT-së, në Prishtinë, ka filluar aktivitetin edicioni i tretë i garës kibernetike “Hack Day Kosova 2018”, organizim i cili zhvillohet nën kujdesin e divizionit UBT-CERT.

Dita e parë e këtij aktiviteti ka filluar me pritjen dhe regjistrimin e hakerëve që vijnë nga Kosova dhe rajoni, të cilët edhe janë njoftuar me rregullat e materialin.

Të premten më 12 tetor, do të mbahet gara ku do të sprovohen edhe njohuritë e pjesëmarrësve, të cilët do të testohen në tri kategori, Web Penetration Testing, WI-FI Hacking, Physical Hacking.

Ata do identifikojnë dobësitë në infrastrukturën fizike dhe virtuale të sistemeve të ndryshme, të ekspozuara për këtë garë, hakimin e infrastrukturës WI-FI , të dhëna dhe ueb aplikacione, si dhe hakimin fizik të pajisjes kompjuterike.

Vlerësimi do të bëhet nga juria e përzgjedhur, e cila është përgjegjëse për vlerësimin e raporteve sipas listës së pikëve që në total janë 100 pikë. Teksa, në ditën e tretë të “Hack Day Kosova 2018” do të shpallen fituesit dhe do të ndahen certifikatat për pjesëmarrësit.

“Hack Day Kosova” është ngjarje që tash e tri vite organizohet nga UBT-CERT, aktivitet i cili është pranuar në fushatën më të madhe të BE-së dhe po promovohet në kalendarin e ngjarjeve, që do të organizohen në tetor në kuadër të muajit Evropian të Sigurisë Kibernetike (ECSM).