Global UBT Fest 2026: Sesione të dedikuara inovacionit, sipërmarrjes dhe teknologjisë

08/07/2026

Në kuadër të edicionit të sivjetmë të Global UBT Fest 2026, u organizuan një sërë prezantimesh dhe ligjëratash të fokusuara në inovacion, sipërmarrje, teknologji dhe zhvillimin profesional të studentëve.

Aktiviteti u hap me prezantimin e UBT Startup School, të udhëhequr nga profesorët Artiana Fazliu dhe Agron Parduzi, të cilët prezantuan mundësitë që kjo platformë ofron për zhvillimin e ideve inovative, mbështetjen e sipërmarrësve të rinj dhe ndërtimin e startupeve të suksesshme.

Në vijim, profesori Agron Parduzi prezantoi Ekosistemin e UBT-së, duke theksuar rolin e tij në nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet akademisë, industrisë dhe inovacionit, si dhe ndikimin e tij në zhvillimin e projekteve dhe iniciativave me vlerë për komunitetin.

Profesori Besnik Skenderi mbajti dy ligjërata me tema aktuale. Në prezantimin “Ndikimi i teknologjisë dhe inteligjencës artificiale në tregun global të punës”, ai trajtoi transformimet që po sjell inteligjenca artificiale në profesionet e së ardhmes, aftësitë që kërkon tregu dhe sfidat e mundësitë për gjeneratat e reja. Ndërsa në ligjëratën “Metoda Agile për Menaxhimin e Projekteve”, ai prezantoi parimet dhe praktikat moderne të menaxhimit të projekteve, duke theksuar rëndësinë e fleksibilitetit, bashkëpunimit dhe përmirësimit të vazhdueshëm.

Këto aktivitete dëshmuan edhe një herë angazhimin e UBT-së për të ofruar përvoja bashkëkohore të të mësuarit, duke lidhur studentët me temat më aktuale të teknologjisë, inovacionit dhe sipërmarrjes në nivel global.