Global UBT Fest 2026: Nis festivali më i madh i dijes në rajon me mbi 3,000 pjesëmarrës
03/07/2026Ka nisur zyrtarisht edicioni i 15-të i festivalit ndërkombëtar Global UBT Fest 2026, i cili është festivali më i madh i dijes në rajon. Përgjatë tërë muajit korrik, festivali do të shërbejë si një platformë gjithëpërfshirëse ku bashkohen arsimi, shkenca, inovacioni dhe zhvillimi profesional, me synim krijimin e zgjidhjeve për sfidat e së ardhmes.
Në këtë edicion jubilar, festivali konkretizon vizionin e nisur pesëmbëdhjetë vjet më parë për ta shndërruar Kosovën në një qendër ndërkombëtare të bashkëpunimit akademik. Ngjarja do të bëjë bashkë mbi 3,000 pjesëmarrës nga Kosova, rajoni dhe vende të ndryshme të botës. Pjesë e ligjëratave, debateve dhe aktiviteteve shkencore do të jenë më shumë se 300 profesorë, studiues, ekspertë dhe profesionistë vendorë e ndërkombëtarë, të cilët do të ndajnë përvojën dhe njohuritë e tyre me pjesëmarrësit.
Gjatë javëve në vijim, në kuadër të festivalit do të organizohen mbi 50 shkolla verore, të cilat do të mbulojnë fusha të shumta, si inteligjenca artificiale, shkencat kompjuterike, inxhinieria, siguria kibernetike, mjekësia, stomatologjia, farmacia, arkitektura, energjia, media dhe komunikimi, ekonomia, biznesi, drejtësia, psikologjia, arti, dizajni, muzika, politikat publike, sporti, bujqësia dhe shkencat e ushqimit. Agjenda e festivalit do të pasurohet gjithashtu me konferenca shkencore, forume ndërkombëtare, gara inovacioni, hackathone, ekspozita dhe prezantime të startup-eve.
Të pranishmëve u uroi mirëseardhje Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, i cili theksoi rëndësinë e këtij festivali si një platformë unike që e pozicionon Kosovën në hartën ndërkombëtare të dijes dhe inovacionit.
“Ju uroj mirëseardhje në dy momente të rëndësishme për UBT-në. Sot zyrtarisht shënojmë hapjen e Festivalit Global të Dijes, i cili tashmë është bërë traditë, me synimin që korriku të shndërrohet në muajin e festivalit më të madh të dijes në Evropë. Po punojmë që përmes UBT-së të krijojmë në Kosovë një platformë ku marrin pjesë qindra folës, organizohen qindra aktivitete dhe mblidhen mijëra pjesëmarrës, nga sot e deri në fund të muajit korrik”, tha Hajrizi.
Duke folur për strukturën programore të festivalit, Rektori Hajrizi theksoi se shtylla kryesore e këtij edicioni mbështetet në diversitetin akademik dhe ndërveprimin ndërdisiplinor. Sipas tij, secili fakultet i UBT-së do të organizojë shkolla verore dhe aktivitete të specializuara, të shoqëruara me konferenca, gara, punëtori, forume dhe manifestime kulturore.
“Ideja e Festivalit Global të Dijes ndërtohet mbi diversitetin e programeve akademike. Çdo fakultet gjatë këtij muaji do të organizojë shkolla verore, konferenca, evente, gara dhe koncerte, duke krijuar një hapësirë ku dija, inovacioni dhe kreativiteti bashkohen. Kjo platformë është e hapur dhe pa pagesë, në mënyrë që të gjithë qytetarët, përfshirë edhe bashkatdhetarët tanë nga diaspora, të kenë mundësi të përfitojnë prej saj”, u shpreh Hajrizi.
Në kuadër të ditës së parë të Global UBT Fest 2026, u zhvillua edhe Konferenca e Lidershipit, me temën “Qeverisja e Inovacionit: Lidershipi në Epokën e Inteligjencës Artificiale”, e cila u fokusua në sfidat dhe mundësitë që sjell inteligjenca artificiale në proceset e udhëheqjes dhe vendimmarrjes.
Ceremonia e hapjes u pasurua edhe me një program artistik, ku bendi i UBT-së, i përbërë nga studentë të Fakultetit të Muzikës Moderne, Prodhimit Digjital dhe Menaxhmentit, interpretoi këngën “Baresha”, duke sjellë një performancë që ndërthurte vlerat e trashëgimisë kulturore shqiptare me interpretimin bashkëkohor. Performanca u mirëprit nga të pranishmit dhe shënoi një fillim simbolik të festivalit, duke dëshmuar se Global UBT Fest nuk është vetëm një platformë e dijes dhe shkencës, por edhe një hapësirë që promovon artin, kulturën dhe kreativitetin.


