“Global UBT FEST 2020” sjell akademinë e Ekonomisë, Financave, Bankave dhe Sigurimeve si dhe atë të Ndërmarrësisë dhe Inovacionit, diskutohet për trendët e teknologjisë bankare dhe sipërmarrësin

09/07/2020

Akademia e Ekonomisë, Financave, Bankave dhe Sigurimeve e ka filluar punën duke diskutuar për sistemin financiar, stabilitetin e tij dhe rolin e Bankës Qendrore të Kosovës. Për këtë temë ka diskutuar profesori i UBT-së dhe ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepi. Ndërkaq, Akademia e Ndërmarrësisë dhe Inovacionit, ditën e parë të saj e ka filluar me ligjëruesin e Kolegjit UBT, Bejtush Ademi, duke diskutuar për modelet e biznesit dhe mjedisin e të bërit biznes.

 

Në ditën e dytë dhe të tretë të akademisë së Ekonomisë, Financave, Bankave dhe Sigurimeve u diskutua për krizat ekonomike, si dhe shkaqet që i sjellin ato. Këtë temë e ka shtjelluar profesoresha Arta Mulliqi, e cila e vuri theksin tek kriza ekonomike momentale për shkak të virusit Covid 19’. Blerton Abazi, ligjërues në UBT, ka mbajtur sesionin mbi sigurinë kibernetike dhe ndikimin tek bizneset, për përballjen e tyre me sigurinë kibernetike gjatë periudhës së pandemisë.

 

Kurse, në akademinë e Ndërmarrësisë dhe Inovacionit, profesori Ermal Lubishtani, ka ligjëruar për ekosistemin e ndërmarrësisë, duke theksuar rolin e edukimit në ndërmarrësi dhe tek ndërmarrësit, duke marr shembuj konkret nga vendi, rajoni dhe bota. U vlerësua roli që UBT dhe institucionet e tjera të arsimit të lartë, kanë në ekonomi dhe në mjedisin e biznesit. Nga ana tjetër, Florian Piraj, bashkë-themelues i kompanisë Formon dhe themelues i Shkollës Digjitale dhe Enchele, mbajti një prezantim, duke ndarë përvojën e tij profesionale me studentët dhe pjesëmarrësit e tjerë. Aty u fol për ndërmarrësinë në përgjithësi, rëndësinë që ka në shoqëri, duke marrë shembull produktet e kompanisë Formon, që janë prodhuar për të ndihmuar në luftën kundër Covid 19’.

 

Ndërkaq sot, në akademinë e Ekonomisë, Financave, Bankave dhe Sigurimeve, u diskutua për trendet dhe të ardhmen e teknologjisë bankare. Profesori Kreshnik Halili ka ndërlidhur edhe efektet që virusi Covid 19’, do të ketë në të ardhmen e teknologjisë bankare. Kurse, në programin e Ndërmarrësisë dhe Inovacionit, profesori Feim Brava, ka diskutuar për sipërmarrësinë dhe tregtinë ndërkombëtare, duke elaboruar për sfidat dhe mundësitë që prodhuesit vendor i kanë.

 

Të dy këto akademi nesër, me datë 10.07.2020, mbajnë sesionin përmbyllës duke diskutuar rreth temave aktuale që ndërlidhen me Ekonominë dhe Ndërmarrësinë në përgjithësi. Hasan Metin, doktor i menaxhmentit, do të ligjëroj për praktikat e sigurimit në Kosovë dhe Turqi. Kurse, në programin Ndërmarrësi dhe Inovacion, profesoresha Nora Sadiku-Dushi, do të diskutoj për sipërmarrësinë e marketingut.