Fotomaratona ”Tri foto, një mendim” hap ekspozitën në UBT

22/12/2015

”Tri foto, një mendim” është fotomaratona e organizuar nga UBT e në koordinim të Avni Dalipit.


Studentët patën mundësi që për tre ditë, me tre temat që i kishin, të nxirrnin në pah kreativitetin dhe talentin e tyre për fotografi. Dita e parë përmbante temën ”Qyteti dhe identiteti”, në ditën e dytë ata u morën me qytetin dhe trashëgiminë, ndërsa në ditën e tretë dhe të fundit me grafitet.


Kjo fotomaratonë ka për qëllim që t’i aftësojë studentët që, përmes këndvështrimit të tyre, të arrijnë t’i identifikojnë fenomenet dhe proceset.


Avni Dalipi, koordinator i këtij projekti, tha për “Telegrafin” se fotomaratona është një aktivitet që ka për qëllim angazhimin e pjesëmarrësve në projektet shoqërore e argëtuese, të cilat në fund nxjerrin përfundime mbi temat e caktuara.


Ai më tutje sqaroi se këto tema janë të natyrave të ndryshme, si problemore, sociale, mjedisore, arkitekturore etj. Studentët pjesëmarrës do të jenë nxitës të debateve për çështjet dhe fenomenet.


Karakteri i fotomaratonës është garues dhe argëtues.


Pas përfundimit të fotove të hënën në ambientet e UBT-së, filloi prezantimi i temave përmes fotove, ku secili student  pati  mundësi ta komentoj punën e bërë gjatë fotomaratonës.


Ekspozitën e shpalli të hapur dr.Lulzim Beqiri, dekan i Fakultetit të Arkitekturës në UBT, i cili foli për rëndësinë që ka për arkitekturën kjo mënyrë kreative e analizës së qytetit.


Të hënën më 21 dhjetor 2015, pos prezantimit me projektor të fotove para pjesëmarrësve, u hap edhe  ekspozita ”TRI FOTO – NJË MENDIM”, me fotografitë e maratonës, ku secili pjesëmarrës u prezantua me tri fotografi, me nga një foto për çdo temë.


Nga ky aktivitet do të përzgjedhen tri punimet më të mira.


Juria profesionale në përbërje të Barış Karamuço,  kryetar i jurisë njëherësh edhe profesor i lëndës Kamera dhe Fotografia në UBT, Ajhan Bajmaku, profesor i lëndës Kreativiteti në Fakultetin e Arkitekturës në UBT, dhe Valmir Hoxha, profesor i 3D dizajn po ashtu në UBT, do të japin mendimin dhe vendimin e tyre në lidhje me foton fituese.

Përndryshe, UBT si një institucion i nivelit të lartë të arsimit nuk është hera e parë që organizon aktivitete ku studentët kanë mundësi t’i shprehin talentet e tyre.