Fillon punën qendra më e re për fëmijë dhe të rinj “UBT Junior Hub”

05/07/2021

Ka filluar punën qendra më e re për fëmijë dhe të rinj “UBT Junior Hub”, qendër kjo e vetmja e këtij lloji për fëmijë në vend, në të cilën fëmijët mund t’i zhvillojnë shkathtësitë dhe aftësitë e tyre në disa disiplina.

 

Robotika, programimi, AVR, web design, gjuhë angleze, gjuhë gjermane, powerpoint dhe animacione, pikturë dhe vizatim, muzikë, si dhe të menduarit në mënyrë kritike, janë fushat në të cilat fëmijët dhe të rinjtë do të sfidojnë vetën dhe do të mësojnë njohuri të reja nga profesionistë dhe ekspertë të secilës fushë përkatëse.

 

Fëmijët e moshës 6-11 vjeç dhe të rinjtë e moshës 12-18 vjeç, do të kenë mundësi të ndjekin programe dhe trajnime të veçanta, që përfshijnë edhe aktivitete argëtuese, emocionuese dhe edukative, me të gjitha kushtet e nevojshme infrastrukturore për mësim dhe zhvillim, bazuar në moshën që ata kanë.

 

Kjo qendër është njëra prej 20 inovacioneve që UBT ka sjellë në 20-vjetorin e themelimit të saj si institucion i arsimit të lartë, qendër e cila do të jetë vend i talentëve të rinj, nga ku do të thurrin kujtime të paharrueshme në parkun e shkencës, teknologjisë dhe inovacioneve të UBT-së.