Fillon projekti i UBT-së për informim dhe orientim në karrierë i të rinjve në Kosovë

01/03/2019

Qendra e Karrierës në UBT ka filluar projektin për orientim në karrierë të nxënësve maturantë, të cilët në këtë kohë bëjnë përzgjedhjen e profesionit të tyre, menjëherë pas përfundimit të shkollës së mesme.

 

Kjo është duke u arritur përmes projekteve këshilluese dhe orientuese, ku UBT në vazhdimësi është në mbështetje të të gjithë të rinjve, me qëllim që t’i ofrohen sa më shumë nevojave të tregut të punës dhe nevojave që dalin nga industria.

 

Deri më tani UBT, ka shkallën më të lartë të punësimit të studentëve në vend, në fusha studimi të veçanta dhe inovative, të cilat ofrohen në një ambient studimi modern dhe të krahasueshëm me atë të universiteteve më prestigjioze në botë.

 

Gjatë këtij projekti, Qendra e Karrierës do të jetë afër nxënësve kosovarë në të gjitha komunat e vendit, me qëllim që t’i ndihmojë ata që të marrin vendimin e duhur në përzgjedhjen e profesionit dhe në ngritjen e tyre profesionale.