Fillon aktivitetin Akademia Verore në fushën e Shkencave të Sportit, Shëndetit dhe Shoqërisë

27/07/2020

Ka hapur aktivitetin Akademia Verore në fushën e Shkencave të Shkencave të Sportit, Shëndetit dhe Shoqërisë, në kuadër të Global UBT Fest 2020, me ligjërata tematike dhe folës vendor e ndërkombëtarë.

 

Hapjen e akademisë virtualisht e bëri rektori prof. dr. Edmond Hajrizi, i cili tha se në përgjithësi sporti dhe shkencat e lëvizjes kanë dhe do të kenë një rol shumë të rëndësishëm në shoqëri.

 

Sipas rektorit Hajrizi, ndërlidhja në mes disiplinave është mesë e nevojshme dhe sporti e mbështet këtë veprimtari, duke shtuar se me zhvillimin e teknologjisë, përmes smart solutions, ne mund të veprojmë dhe ndikojmë më shumë tek sporti, duke matur përformancat në kohë reale, 24/7.

 

Profesori Hajrizi, shtoi se me mbledhjen e të dhënave, analizimin e tyre, si dhe vizualizimin në kohë reale, do të krijonin një efekt shumë interesant sa i përket fushës së sportit që nuk i kemi parë më herët.

 

“Kosova ka hyrë në organizma ndërkombëtarë të sportit, duke përfshirë organizata si ajo e futbollit FIFA e lojëra olimpike, dhe tash kërkohet një shkallë më e lartë e konkurrencës. Ne e kemi obligim dhe përgjegjësi që t’i ndihmojmë sportit dhe organizatave sportive, nuk duhet që sporti të mbetet i izoluar dhe pa mbështetje. Teknologjia në UBT është e zhvilluar, dhe ne me profesorët e sportit kemi mundësi që të krijojmë një ndërlidhje të re dhe qasje të re që lidhet me sportin.”, tha rektori prof.dr. Edmond Hajrizi.

 

Rektori Hajrizi, potencoi se UBT ka marr të gjitha masat për zhvillimin sa më të mirë të sportit, me laboratorë të sofistikuar për trajtimin e njeriut, hapësira të reja në kampusin e UBT-së, dhe program të ri për sportin, kështu duke ju mundësuar studentëve që të merren jo vetëm me aktivitete që kanë në program, por edhe me aktivitete jashtë kurikulare.

 

Ndërkaq, profesori i UBT-së, Masar Gjaka bashkë me profesorin nga Universiteti i Romës, Paolo Parisi, diskutuan me studentët për kurrikulën e re në lidhje me bachelorin në shkencat e sportit. E profesori Masar Gjaka bashkë me profesorin Abedin Bahtiri, prezantuan disa aktivitete sportive që u realizuan bashkë me studentët e UBT-së.

 

Për sektorin e sportit në Kosovë, organizatat publike dhe private të sportit, diskutoj profesori Faton Tishukaj, duke i vënë theks, sportit kosovar, ndryshimeve dhe zhvillimeve të tij viteve të fundit. Ndërkaq aktiviteti i kësaj akademie u mbyll me ligjëratën e profesorit Masar Gjaka, me diskutimin për gjendjen aktuale në Kosovë, mundësitë për përmirësimin e tij dhe përspektivave për të ardhmen.