Fakulteti Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi në UBT organizon javën e sesioneve informuese për studentët e rinj të Programeve MBE dhe FinTech në Prishtinë, Ferizaj dhe Prizren
16/10/2026Në kuadër të aktiviteteve për fillimin e vitit të ri akademik, Fakulteti Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi (MBE) në UBT, së bashku me programin FinTech, kanë organizuar një javë të dedikuar sesioneve informuese për studentët e vitit të parë, me qëllim mirëpritjen, orientimin dhe lehtësimin e integrimit të tyre në jetën akademike.
Sesione informuese janë mbajtur në kampuset e UBT-së në Prishtinë, Ferizaj dhe Prizren, ku përfaqësuesit e Fakultetit, së bashku me stafin akademik, kanë mirëpritur studentët e rinj, duke u ofruar informacione të rëndësishme për rrugëtimin e tyre akademik, organizimin e studimeve dhe mundësitë që institucioni ofron për zhvillimin e tyre akademik dhe profesional.
Gjatë këtyre takimeve, vëmendje e veçantë iu kushtua njohjes së studentëve me infrastrukturën digjitale dhe sistemet e brendshme të UBT-së, përfshirë platformat Moodle, SMIS dhe sistemin Studenti, si dhe shërbimet e Bibliotekës dhe qasjen në platformat elektronike për literaturë dhe materiale mësimore. Studentët u udhëzuan gjithashtu për mënyrën e përdorimit dhe navigimit në webfaqen zyrtare të UBT-së, me qëllim që të kenë qasje të lehtë dhe të vazhdueshme në dokumentacionin institucional, rregulloret dhe udhëzuesit përkatës.
Në këtë drejtim, studentëve iu shpjegua se si mund të çasen edhe në dokumentet kryesore që rregullojnë procesin akademik dhe të drejtat e përgjegjësitë e studentëve, përfshirë Rregulloren për Përgjegjësitë e Studentëve, Rregulloren për Ciklin e Parë të Studimeve dhe Doracakun për Studentë. Përmes këtyre dokumenteve, studentët u njoftuan se mund të njihen më nga afër me procedurat akademike, përgjegjësitë e tyre dhe mekanizmat mbështetës që UBT vë në dispozicion gjatë studimeve.
Një pjesë e rëndësishme e sesioneve iu dedikua edhe prezantimit të mundësive të shumta për zhvillim akademik dhe profesional përtej procesit të rregullt mësimor. Studentët u informuan për bashkëpunimet e UBT-së me universitetet partnere ndërkombëtare, mundësitë për mobilitet dhe shkëmbim studentor, pjesëmarrjen në shkolla verore, konferenca studentore dhe aktivitete të tjera që kontribuojnë në zgjerimin e njohurive e përvojave.
Theks i veçantë iu kushtua rëndësisë së pjesëmarrjes aktive të studentëve në proceset vendimmarrëse brenda UBT-së. Në këtë kuadër, u diskutua për rolin e Organizatës Studentore, përfaqësuesve të grupeve studentore, si dhe mundësitë e përfshirjes së studentëve në nënkomisionet e Fakultetit si dhe rolet e përgjegjësitë e tyrë në cilësinë e përfaqësuesit të grupit apo anëtarit të nënkomisionit. U theksua se angazhimi i tyre në këto struktura përbën një mekanizëm të rëndësishëm për përfaqësimin e interesave studentore, fuqizimin e komunikimit ndërmjet studentëve dhe menaxhmentit, si dhe kontributin e drejtpërdrejtë në përmirësimin e cilësisë së studimeve.
Në përmbyllje të sesioneve informuese, studentët u inkurajuan edhe një herë të shfrytëzojnë sa më shumë mundësitë që UBT ofron për zhvillimin e tyre akademik dhe profesional. Njëkohësisht, u rikujtuan se për çdo kërkesë, ankesë apo nevojë për mbështetje dhe asistencë gjatë studimeve, Fakulteti MBE mbetet pika kryesore e kontaktit, qoftë përmes komunikimit të drejtpërdrejtë në ambientet e Fakultetit, apo përmes postës elektronike.



