Fakulteti i Muzikës Moderne dhe Prodhimi Digjital mbajtën koncert semestral

20/01/2020

Studentët e vitit të parë të Fakultetit Muzika Moderne dhe Prodhimi Digjital, përmbyllën suksesshëm semestrin dimëror me organizimin dhe mbajtjen e një koncerti semestral.

 

Për të paraqitur aftësitë dhe njohuritë e përfituara në industrinë e muzikës, ata realizuan një program me pika të shumta muzikore të zhanreve pop, rock, jazz, contemporary classical nga gjenerata e parë e instrumentistëve dhe vokalistëve modern, gjeneratës së parë të audio inxhinierëve, kompozitorëve dhe menaxheres së parë, Tuba Devaja.

 

Koncertin e hapi rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi, i cili tha se ky fakultet është i pari i këtij lloji në Kosovë, dhe gjeneratat që dalin të diplomuar nga ky drejtim do të jenë profesionistë të vërtetë.

 

“Kemi kombinuar komponentët kryesore siç janë: muzika moderne, produksion dhe menaxhment muzikor, që nënkupton se kërkesat e industrisë për kuadro profesional në këto fusha të muzikës janë rritur, andaj aftësimi në cilindo specializim që ofrohet nga ky fakultet do të thotë se ata nesër do të jesh pjesë e industrisë së muzikës dhe këtë e dëshmuan më së miri përmes koncertit semestral”, tha rektori Hajziri.

Ai tha se nga viti në vit ky koncert do të shndërrohet në një ngjarje shumë të rëndësishme për UBT-në, ngase studentët tanë pritet të performojnë edhe para audiencave më të mëdha.