UBT feston 28 Nëntorin me një koncert madhështor artistik
27/11/2025Në kuadër të festimeve të 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit dhe të Pavarësisë, Fakulteti i Arteve në kuadër të UBT-së, programi Muzikë Moderne, Prodhim Digjital dhe Menaxhim, organizoi një koncert festiv që i dha skenës ngjyrat e artit, emocionit dhe krenarisë kombëtare.
Programi u hap me një performancë solemne të Korit të UBT-së, nën drejtimin e Prof. Lindita Isufit. Kori interpretoi me dinjitet Hymnin Kombëtar si dhe Suitën Korale të kompozitorit të madh Rauf Dhomi, duke krijuar një hyrje madhështore dhe atmosferë të denjë për këtë ditë të shënuar.
Më pas, pianisti Ledian Shala mbushi sallën me emocion përmes interpretimit të ndjerë të veprës “Për Ty Atdhe”, një performancë që u prit me qetësi të thellë dhe duartrokitje mirënjohëse.
Koncerti vazhdoi me klarinetistin Rinor Hasimi, i cili interpretoi me virtuozitet veprën e njohur “Czardas” nga V. Monti. Atij iu bashkuan në skenë Prof. Dukagjin Muhaxheri në piano dhe studenti Shend Xhini në bateri – një trio dinamike që solli energji dhe ritëm, duke marrë vlerësime të shumta nga publiku.
Një nga momentet më prekëse të mbrëmjes ishte interpretimi i Erza Ahmetit, e cila solli një kombinim të veçantë të oboes dhe vokalit me veprën “Trim Mbi Trima”, e shoqëruar në piano nga Prof. Muhaxheri. Interpretimi i saj i brishtë dhe emocional la gjurmë të thella te të pranishmit.
Publiku u entuziazmua edhe nga klarinetisti Sunaj Qerimi, i cili ndezi skenën me veprën “Baresha”, të interpretuar me shumë finesë dhe ritëm, i shoqëruar nga studentët Ledian Shala në piano dhe Shend Xhini në bateri. Një performancë që u shpërblye me duartrokitje të zjarrta.
Në mbyllje, të gjithë studentët, së bashku me Prof. Dukagjin Muhaxherin, u bashkuan në një interpretim të fuqishëm dhe emocional të veprës “Këngë Moj”, duke e finalizuar koncertin me një atmosferë festive dhe të ngrohtë.
Ky koncert dëshmoi edhe një herë talentin e jashtëzakonshëm të studentëve dhe përkushtimin e pedagogëve që i udhëheqin. Një mbrëmje arti e cila nderoi kulturën kombëtare, muzikën dhe festën e 28 Nëntorit me dinjitet dhe profesionalizëm.






