Fakultetet bashkojnë studentët për ligjërata të interesit të përbashkët

11/07/2016

Dita e tretë e ANV-së, i ka bashkuar Fakultetin e Mekatronikës dhe atë të Inxhinierisë së Energjisë, me ç’rast, studentët e këtyre dy drejtimeve, kanë dëgjuar ligjëratën tematike të Trim Tërrnavës, përfaqësues i kompanisë së njohur kosovare, Jaha Energy, në konsorcium me kompaninë gjermane JVG.

Ai i ka njoftuar studentët me mënyrën e prodhimit, instalimit dhe projektimit të paneleve solare, duke vënë theks të veçantë tek rëndësia e energjisë së ripërtëritshme dhe në potencialin e prodhimit dhe zbatimit të saj në Kosovë. Në mënyrë që ta bënte sa më të kuptueshme ligjëratën e tij për studentët, Tërrnava u dha atyre mundësinë që përmes një videoje, të shihnin procesin e prodhimit të paneleve solare.


Në fund, aktiviteti ka vazhduar me ligjëratën “Trendët teknologjike inovative”, ligjëruar nga profesori i Kolegjit UBT, Vehebi Sofiu. Ai u ka shpjeguar pjesëmarrësve trendët e fundit teknologjike, të cilat, sipas tij, shumica prej tyre po ndikojnë negativisht në mjedisin e vendit tonë.


Në fund të këtij organizimi, është zhvilluar një debat, ku studentët kanë diskutuar dhe kanë parashtruar pyetje për ndotjen e ajrit dhe mundësinë e zgjidhjes së këtij problem.