Fakultetet Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor dhe Sistemet e Informacionit në UBT mbajtën sesion informues me studentët e vitit të parë

07/10/2022

Fakulteti Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor dhe Fakulteti Sistemet e Informacionit në UBT mbajtën sesion informues me studentët e rinj të këtyre programeve, duke i njoftuar dhe informuar ata rreth kurrikulës, programit dhe stafit akademik.

Studentët e rinj të Fakultetit Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor u mirëpritën nga dekani i Fakultetit Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor, Prof. Dr. Lulzim Beqiri, dhe nga koordinatorja Zana Prelvukaj, të cilët i njoftuan më detajisht për mënyrën e mbajtjes së procesit mësimor, rregullat e procesit mësimor, platformat të cilat i ofron UBT për studentët përgjatë studimeve të tyre: Moodle, SMIS, Knowledge Center, E-Library dhe platforma Studenti.

Teksa ekipi i Fakultetit Sistemet e Informacionit në UBT i përbërë nga dekani Prof. Dr. Blerton Abazi, si dhe koordinatorët Maria Lumezi e Art Hoxha, i njoftuan studentët për fillimin e vitit akademik, stafin akademik, sistemet digjitale që do të përdoren, orarin e ligjëratave, procesin e përgjithshëm mësimor, si dhe me ekipin e fakultetit që do të kujdesen për kërkesat dhe mbarëvajtjen e mësimit.

Në këtë takim dekani i Fakultetit Sistemet e Informacionit, Prof. Dr. Blerton Abazi prezantoi të arriturat e fakultetit ndër vite duke prezantuar numrin e dyfishuar të studentëve, si dhe kërkesat e shumta të studentëve për të ndjekur studimet në këtë drejtim.