“Ekspozita tradicionale UBT 2014” merr përmasa ndërkombëtare

03/06/2014

Prishtinë,  3  qershor 2013 –  Në ambientet  e Kampusit të ri të UBT-së,   u hap Ekspozita tradicionale UBT 2014,  në të cilën janë ekspozuar mbi 130  punime  të studentëve të Fakultetit të Arkitekturës të UBT-së dhe   studentëve të Universitetit Pecs të Republikë së  Hungarisë.

 

Të pranishëm në ceremoninë e hapjes së ekspozitës ishin studentë dhe profesorë vendorë e ndërkombëtarë,  prindër,  përfaqësues të institucioneve të vendit, përfaqësues të universiteteve dhe institucioneve të tjera partnere të UBT-së, etj.  

 

Ekspozita u shpall e hapur nga presidenti i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi,  dekani i Fakultetit të Arkitekturës në UBT, dr. Binak Beqaj,  drejtori i programit të doktoratës në Universitetin Pecs,   Zoltán Bachmann, dhe    zëvendësdekanja   e Universitetit  Pecs,   dr. Gabriella Medvegy.

 

Presidenti i UBT-së, dr. Edmond Hajrizi pasi  falënderoi   stafin organizativ të ekspozitës në fjalë dhe delegacionin hungarez, tha:  “Ky është një grumbullim  i punës dhe përvojave të palodhshme të studentëve dhe të profesorëve të të dyja institucioneve,  që nënkupton shkëmbimin e përvojave dhe njohurive për një temë të caktuar, dhe kjo që po shihet është puna njëvjeçare që është bërë nga studentët në bashkëpunim me profesorët e tyre”, tha prof. dr. Edmond Hajrizi.

 

“Ekspozita në UBT është bërë tradicionale në çdo vit në muajin qershor të kemi të paraqitura punimet e studentëve tanë.  Po ashtu edhe studentët këtij fakulteti  ndihen të privilegjuar meqë u ka dhënë mundësia të prezantojnë punën  e vet para një audience profesional dhe të gjerë”, tha dekani dr. Binak Beqaj.  

 

Po ashtu, gjatë kësaj ekspozite u dhanë edhe mirënjohje disa  studentëve të të dyja institucioneve  për punën e tyre të suksesshme, gjithashtu u dhanë mirënjohje edhe stafit akademik të cilët kanë kontribuar në organizimin e deri te hapja e kësaj ekspozite. 

 

UBT ndau çmim për  Zoltán Bachmann

 

Arkitektin  me përmasa ndërkombëtare Zoltán Bachmann,  për kontributin  e jashtëzakonshëm që ka dhënë rreth lëmi të arkitekturës prof. dr. Edmond Hajrizi dhe Këshilli Akademik i UBT-së, si shenjë respekti e nderuan me Çmimin më të lartë që parasheh Stauti i UBT, “Leadership Excellence Award”.

 

Ky delegacion,  ndër të tjera, në kuadër të kësaj vizite  para stafit akademik   prezantuan  programin që ofron ky universitet nga lëmia e arkitekturës,   në  nivelet  PhD.

 

Ekspozitë do të qëndroj e hapur gjatë tërë këtij muaji , në  Kampusin e ri të UBT-së.