Eksperti Carlos Gutierrez po simulon platformën për biznes “Capsim” me studentët e UBT-së

10/05/2019

 

Eksperti i njohur i fushës së biznesit, tash edhe ligjërues në UBT, Carlos Gutierrez ka filluar të mbajë lëndën “Konsulencë menaxheriale” për studentët e nivelit master të Fakultetit Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi.

 

Mbajtja e kësaj lënde është duke u bazuar në platformën unike të menaxhimit, “Capsim”, që momentalisht është duke u përdorur nga shkollat më të mira botërore të biznesit.

Gjatë këtij simulimi, studentët janë ndarë në pesë grupe me nga pesë studentë, teksa secili grup përbën një kompani në vete, brenda së cilës, secili student ka një funksion të caktuar menaxhimi.

Grupet garojnë mes vete për të gjetur metodat më efektive të të bërit biznes, në atë formë që ky simulim t’i ngjasojë një biznesi real.

 

Në fund të semestrit, studentët do të marrin certifikata për përmbyllje të suksesshme të simulimit të biznesit, të cilat do ta mbajnë vulën e platformës “Capsim”.

 

Capsim është një platformë që zhvillon simulime të biznesit dhe vlerësime të bazuara në simulime, që matin dhe zhvillojnë aftësitë kritike të biznesit, të nevojshme për sukses në karrierë biznesi.