Ekipi i UBT-së shpallet fitues në Kampionatin Ballkanik të MOS-it, vazhdon garën në nivel botëror

11/11/2020

Ekipi i UBT-së, i përbërë nga studentet Elita Hajrizi dhe Vlera Saraqi, si dhe nga Artin Ahmeti, është shpallur fitues nga Certiadria në Kampionatin Ballkanik të Microsoft Office Specialist 2020.

 

Ata, përmes UBT-së, do të përfaqësojnë Kosovën në Kampionatin Botëror të Microsoft Office Specialist, që është planifikuar të zhvillohet në New York, ShBA, më 29 korrik deri më 1 gusht 2021.

 

Në këtë garë botërore, kampionët e Kosovës do të demonstrojnë aftësitë e tyre në Microsoft Office, përfshirë Word, Excel dhe PowerPoint, në Adobe, përfshirë Photoshop, Illustrator dhe InDesing.

 

Me këtë rast, rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi ka përgëzuar studentët për suksesin e arritur, teksa theksoi se institucioni që ai drejton do të mbështesë të rinjtë për pjesëmarrje aktive në gara të tilla.

 

“UBT e përfaqëson vazhdimisht Republikën e Kosovës në shumë mekanizma ndërkombëtarë, duke depërtuar edhe atje ku politika nuk ka mundur të depërtojë, kjo përmes shkencës, teknologjisë e inovacionit. Nuk është hera e parë që studentët tanë janë pjesë e fitoreve të mëdha në fusha të ndryshme, duke bërë kështu që studentët tanë të jenë të barabartë me ata ndërkombëtarë”, potencoi Hajrizi.

 

Fituesit e Kampionatit Ballkanik i ka uruar edhe drejtori i Certiadria, Marko Serafimovski, i cili ka thënë se gara në fjalë u mundëson pjesëmarrësve përvojë të paharruar dhe aftësim profesional.

 

“Ne jemi veçanërisht krenarë për numrin në rritje të të rinjve që punojnë për të përmirësuar njohuritë e tyre digjitale dhe të kuptojnë se njohuritë digjitale janë të kërkuara dhe mund të sjellin vetëm përfitime. Përveç kësaj, kriza shëndetësore globale vetëm ka theksuar nevojën për të përmirësuar shkrim-leximin digjital, i cili ka qenë qëllimi ynë kryesor që nga fillimi i operacioneve tona. Ne duam t’i përgëzojmë fituesit dhe t’u urojmë atyre fat në Kampionatin Botëror në 2021″, citohet të ketë thënë drejtori Serafimovski.

 

UBT çdo vit merr pjesë në garën e Microsoft Office Specialist “MOS”, ku fillimisht shpall fituesit në nivel vendi, e më pas i mbështet ata dhe i përgatit për garën në arenën ndërkombëtare.