Edi Bushati, pjesëmarrës në forumin “Western Balkans Resilience”

20/11/2018

Edi Bushati këtë vit i ka përfunduar studimet e nivelit bachelor në UBT, duke qenë një ndër studentët më të dalluar të gjeneratës, megjithatë rrugëtimi drejt sukseseve të reja po vazhdon.

Së fundmi, ai ka qenë pjesëmarrës në forumin “Western Balkans Resilience”, që u mbajt në Budva të Malit të Zi.

 

Pjesëmarrja e tij erdhi pas ftesës së marrë nga International Republican Institute (IRI), në cilësinë e përfaqësuesit të shoqërisë civile të Kosovës, teksa pjesëmarrës ishin qindra aktivistë të shoqërisë civile nga mbarë Ballkani Perëndimor.

Temë diskutimi e këtij forumi ishte: “Qasjet për përballimin e ekstremizmit përmes veprimeve”, ku u diskutua mbi qasjet lokale dhe kombëtare për të luftuar ekstremizmin fetar dhe ekstremizmin etno-nacionalist në Ballkanin Perëndimor.

 

Kjo ngjarje mblodhi aktorë vendorë, kombëtarë dhe rajonalë nga Kosova, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia, teksa pjesë e tij ishin edhe ministra rajonalë të sigurisë, koordinatorë kombëtarë të CVE, zyrtarë të qeverisjes vendore, përfaqësues të shoqërisë civile, udhëheqës të akademive, si dhe gazetarë nga të gjitha këto shtete.

 

IRI e organizoi këtë forum në bashkëpunim me Rrjetin e Fortë të Qyteteve/Institutin për Dialog Strategjik, në mbështetje edhe të Byrosë së Departamentit të Shtetit të SHBA-ve për Operacione të Konflikteve dhe Stabilizimit.