Duke gërshetuar teknologjinë, UBT mbajti konferencën e parë online për virusin COVID-19

01/04/2020

Për herë të parë në Kosovë dhe rajon, në një format duke ndërlidhur teknologjinë dhe duke përdorur faqet zyrtare në platformat Facebook, Instagram dhe Youtube, në televizionin “UBT” dhe në Radio “CAMPUS” është mbajtur video-konferenca online me temë: “Roli dhe rëndësia e stafit mjekësor në kohë pandemie”, temë që përkon me situatën e krijuar nga pandemia COVID-19.

Video-konferenca në fjalë padyshim është organizuar nga UBT, institucion lider për teknologji në rajon, mbështetur nga Grupi i Mediave dhe Grupi i IT-ve që operojnë në këtë institucion.

 

Kjo konferencë u mbajt nga forumi i Fakulteteve Mjekësore në UBT, me qëllim të informimit, vetëdijesimit dhe diskutimit për coronvirusin e ri që ka kapluar botën COVID-19.

 

Hapjen e konferencës live e ka bërë rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi, i cili ka theksuar se edhe pse Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka  marrë tash e disa javë vendimin për mbylljen e universiteteve, UBT falë teknologjisë të fjalës së fundit që posedon, mësimin, hulumtimet dhe konferencat suksesshëm po i zhvillon online.

 

Rektori Hajrizi potencoi se video-konferenca ka qasje profesionale, akademike dhe informative, ku rekomandimet do të shërbejnë për komunitetin dhe institucionet përkatëse, ngaqë po përballemi më një virus të ri e të panjohur.

 

Sipas rektorit Hajrizi, ekspertët dhe mjekët shqiptarë në botë do të mund të na ndihmonin duke dhënë ekspertia profesionale  lidhur me gjendjen e krijuar nga kjo pandemi në Kosovë. Gjithashtu, ai theksoi se është e rëndësishme definimi edhe i testeve për testim të këtij virusi, sepse UBT falë bashkëpunimit ndërkombëtar, sidomos në ShBA, ka siguruar teste të shpejta që gjenerojnë rezultate për pacientët.

 

Tutje, dekani i Fakultetit të Infermierisë në UBT, Fitim Alidema, duke folur për sistemin imunitar tek pacientët tha se rritja e imunitetit ndihmon jashtëzakonisht luftimin e koronavirusit të ri, por sipas tij, ky virus shkakton më së shumti problem tek personat që kanë sëmundje kardiovaskulare.

 

Profesori Alidema potencoi se për të pasur një sistem të mirë imunitar duhet të përcjellen rekomandimet e profesionistëve, pra të merren vitaminat në mënyrë natyrale A, D, C, E dhe vitaminat tjera që përmirësojnë gjendjen imunitare.

 

Duke folur për masat mbrojtëse nga personat me sëmundjet kardiovaskulare , profesori dhe internisti, Sejran Abdushi, tregoi se nga ky virus më së shumti preken të moshuarit, posaçërisht ata që kanë sëmundje përcjellëse kardiovaskulare.

 

Abdushi tha se ka dyshim nga ekspertët që koronavirusi është më tepër infektiv tek pacientët me sëmundje kardiovaskulare, prandaj apeloi që gjithë personat që vuajnë nga këto sëmundje  të eliminojnë lëvizjet në kohë pandemie.

 

Ndërkaq, specialistja e Ekonologjisë, Drita Zogaj, potencoi se distanaca fizike është masa më efektive që po jep rezultate, megjithatë duhet që edhe të dezinfektohet çdo hapësirë ose mjet që përdoret në kohe pandemie.

Sipas Zogaj, është e rëndësishme edhe pastrimi kirurgjik i duarve për më së paku 10 sekonda. Por, tha se është e rëndësishme eliminimi i lëvizjeve të panevojshme.

 

Tutje, epidemiologu Fadil Kryeziu deklaroi se në Kosovë kanë hyrë mbi 20 mijë qytetarë që ishin vizitë pune sidomos në zonat e prekura në Itali, pra konkretisht rastet e identifikuara deri më tash kanë ardhur nga shtetet e prekura me COVID-19,  konkretisht kontaktin e kanë pasur nga jashtë.

 

Kryeziu potencoi se dy javët në vijim pretendohet të ketë një rritje të numrit të infektuarve, që kryesisht mendohet të jenë raste kontakti, por sipas tij, lajm i mirë është që 5 persona janë shëruar nga numri i përgjithshëm i të infektuarve.

 

Duke folur për rolin e radiologjisë në kohë pandemie, profesori dhe radiologu, Ilir Ametgjekaj theksoi se rol shumë të rëndësishëm në këtë situatë luan edhe radiologjia, ani pse në Kosovë ende nuk po shfrytëzohen mirë kapacitetet radiologjike.

Ai tha se pacientët që dyshohen me COVID-19 duhet të bëjnë edhe një ekzaminimi radiologjik.

 

Pediatri Haki Jashari potencoi se fëmijët janë më të paprekurit nga COVID-19, por sipas tij, fëmijët mund të jenë shpërndarësit e këtij virusi.

 

Ai tha se nga shifrat që janë publikuar nga gjitha shtetet në botë, shihet që fëmijët në numër tepër të vogël mund të preken nga ky virus sepse virusi ka një receptor që mendohet se tek fëmijët ende nuk është i zhvilluar.

 

Specialisti i anesteziologjisë dhe mjekimit intensiv, Rexhep R. Gjyliqi, theksoi se virusi që krijoi pandeminë botërore është sëmundje respiratore që paraqet një gjendje të rëndë tek pacientët,  dhe kërkohet trajtim intensiv.

 

Ai tha se virusi po shkakton ndryshime në njësitë themelore të mushkërive të pacientëve, gjë që shkakton edhe mungesë të frymëmarrjes dhe duhet të vihet në funksion masa e oksigjenit.

 

Në fund të konferencës, psikologia Violeta Zefi, foli për rolin e psikologut dhe shëndetin mendor në këtë kohë pandemie,  ku edhe dha disa rekomandime profesionale.

 

Ajo tha se shëndeti mendor dhe fizik janë shumë të rëndësishëm dhe të ndërlidhur mes vete, por sipas saj, funksionimi i gjithmbarshëm i njeriut nuk mund të jetë i kompletuar nëse shëndeti mendor është cenuar.

Prandaj, ajo rekomandoi kujdes të veçantë në këtë drejtim sepse lajmet apo bisedat e ndryshme lidhur më këtë gjendje mund të ndikojnë dukshëm në këtë drejtim.

 

Detajet e konferencës i gjeni në linkun: