Drulek: Në rrugën drejt Evropës, Kosova duhet të përfitojë nga shembulli i Çekisë

03/06/2015

Prishtinë, 3 qershor. – Zëvendësministri i Jashtëm i Republikës së Çekisë, z.Petr Drulak dhe kryetari i Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme në Kuvendin e Kosovës, z.Enver Hoxhaj kanë mbajtur sot ligjëratë dhe kanë diskutuar me studentët e UBT-së në temën “Evropa Qendrore dhe Ballkani Perëndimor në politikën evropiane”.

 

Në ligjëratë ishin të pranishëme edhe ambasadori i Çekisë në Republikën e Kosovës, Ivo Silhavy, përfaqësues të institucioneve të vendit dhe mysafirë të tjerë, si dhe profesorë dhe studentë të UBT-së.

 

Rektori i UBT-së, prof.dr.Edmond Hajrizi theksoi bashkëpunimin shumë të mirë të UBT-së me universitete nga Republika e Çekisë, siç janë universitetet në Pragë dhe në Bërno, me të cilat janë zhvilluar një varg projektesh të përbashkëta.

 Drulek: Në rrugën drejt Evropës, Kosova duhet të përfitojë nga shembulli i Çekisë

Ai theksoi se UBT ka zhvilluar një numër projektesh me përkrahjen e Qeverisë së Republikës së Çekisë, përfshirë projektet për zonat ekonomike në Gjakovë, Gjilan e Novobërdë.

 

Bashkëpunimi i UBT-së me universitetet dhe institucionet çeke, tha Hajrizi, do të vazhdojë edhe më tutje.

 

Zëvendësministri i Jashtëm i Republikës së Çekisë, z.Petr Drulak fillimisht u shpreh shumë i kënaqur për vizitën në UBT dhe dialogun me studentët.

 Drulek: Në rrugën drejt Evropës, Kosova duhet të përfitojë nga shembulli i Çekisë

“Është kënaqësi e madhe të jem këtu në mesin tuaj, në UBT, që me sa kuptova është institucioni i arsimit të lartë lider në Kosovë. Unë isha akademik dhe kam ligjëruar si në universitin shtetëror të Çekisë ashtu edhe në universitetet private atje. Jam i impresionuar me infrastukturën që ju e keni. Shumë universitete në Evropë i kanë kushtet shumë më të këqija se ju. Gjithashtu, më kanë njoftuar për rezultatet impresive të studentëve të diplomuar”, theksoi z. Drulak, një profesionist dhe një diplomat shumë i çmuar në vendin e tij dhe në rrethet diplomatike evropiane.

Duke iu refuruar temës, z. Drulak theksoi se eksperiencat e Evropës Qendrore kanë bërë që ajo të arrijë aty ku është sot. “Ju jeni vend i vogël, por duhet të fitoni eksperienca të reja për të arritur aty ku është pjesa tjetër e Bashkimit Evropian. Ajo çfarë dua të them është se nuk ka rëndësi shtrirja gjeografike, pra nuk ka rëndësi ku këto vende shtrihen, por rëndësi ka se janë pjesë e Evropës”, theksoi ai.

Z.Drulek, duke bërë një krahasim mes vendit të tij dhe vendit tonë, theksoi se Republika e Kosovës mund të përfitojë nga përvoja e Republikës Çeke.

Çekia është një shembull i cili mund t’i ndihmojë Kosovës. Të dyja shtetet janë të vogla, kanë një numër jo të madh të banorëve. Nëse Çekia e arriti Bashkimin Europian, e arriti një qëndrueshmëri ekonomike, pse të mos e arrijë edhe Kosova”, tha Drulek.

 

“Shtetet e Ballkanit e duan hyrjen në Bashkimin Evropan. Është një gjë e mirë, pasi që kjo i shtyn drejt një stabiliteti dhe një pune më të madhe për ta arritur synimin e tyre. Kosova duhet ta bëjë atë që e ka bërë më herët Çekia. Ne kemi angazhuar arkitektë të njohur nga Gjermania, nga Italia e nga shumë vende të tjera dhe nuk e kemi lënë me ato që i kanë bërë të tjerët. Ne e kemi vazhduar rrugën tonë të vetëm. Pra, kemi disa vende që po tentojnë të hyjnë në Bashkimin Evropian, ne jemi duke u përpjekur ta ndihmojmë këtë proces, këto misione të vendeve në zhvillim”, theksoi ndër të tjera zëvendësministri i Jashtëm i Republikës së Çekisë, z.Petr Drulak.

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme në Kuvendin e Kosovës, z.Enver Hoxhaj, ish-ministër i Arsimit dhe ish-ministër i jashtëm i Kosovës, theksoi në fjalën e tij një varg përvojash, sidomos nga kontaktet dhe aktivitetet që kishte si ministër i punëve të jashtme.

 

Duke analizuar zhvillime të shumta në planin ndërkombëtar dhe qëndrimin e institucioneve ndërkombëtare ndaj Ballkanit përgjithësisht dhe ndaj Kosovës, z.Hoxha theksoi se Ballkanit rreziku i vjen nga status-quo-ja dhe jo nga zhvillimi dhe proceset integruese.

 

Duke bërë një krahasim midis zhvillimeve demokratike në Ballkan dhe këtyre zhvillimeve në vendet anëtare të Bashkimit Evropian, z.Hoxhaj theksoi se dallimi qëndron në faktin se në Ballkan, në vend të zhvillimit demokratik vendet u kthyen drejt luftës, ndërsa vendet sot anëtare të BE-së shkuan drejt zhvillimit ekonimik.

 

Ai gjithashtu theksoi se vendet e tjera të Ballkanit e kanë pasur shumë më të lehtë sesa Kosova bërjen e reformave dhe hapat në rrugën drejt integrimeve.

 

Z.Hoxha përmendi në vazhdim tri elemente që paraqesin dallimin e Europës Qendrore dhe Lindore nga Ballkani. Elementi i parë është se Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja kanë synuar ta parandalojnë konfliktin, ta ruajnë qetësinë. Elementi i dytë është mbështetja e reformave ekonomike dhe demokratike, ndërsa elementin e tretë e paraqet mbështetja e vendeve të Evropës Qendrore nga vendet e BE-së.

 

Ish-ministri Hoxhaj përmendi edhe dialogun Kosovë-Serbi, duke e quajtur si shumë të rëndësishëm, por që nuk ka dhënë ende rezultatet e pritshme. Ai theksoi se vendet perëndimore po bëjnë shumë në Kosovë dhe në rajon në kuptimin e përkrahjes dhe reformave në rrugën e demokracisë, por vërejti se, megjithatë, rajoni i Ballkanit është në një situatë komplekse, në “status-quo”.

 

Z.Hoxhaj, duke ilustruar qëndrimin e BE-së ndaj vendeve të rajonit të Ballkanit, tha ndër të tjera se problemi kryesor që aktualisht po paraqitet në Bashkimin Evropian për vendet e rajonit nuk është çështja e anëtarsimit të shpejtë të të gjitha vendeve të rajonit, por pjesa më e rëndsishme është se a mundet BE-ja t’i rendisë vendet e rajonit prej një faze në fazën tjetër në rrugën e integrimit.

 

Në përmbyllje, z.Hoxhaj përmendi edhe disa prej problemeve me të cilat ballafaqohet Kosova, siç janë liberalizimi  i vizave, rruga e ngadaltë drejt integrimeve evropiane e të tjera.

Enver Hoxhaj 

Zëvendësministri i Jashtëm i Republikës së Çekisë, z.Petr Drulak dhe kryetari i Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme në Kuvendin e Kosovës, z.Enver Hoxhaj u përgjigjën edhe në një varg pyetjesh të studentëve, të cilët u interesuan të dinë më shumë detaje rreth temës dhe temave të tjera me interes.