Dr. Berisha: UBT është vendi që po krijon ekspertët e së ardhmes

23/06/2017

Profesori me renome ndërkombëtare në fushën e bioteknologjisë, prof. dr Bajram Berisha ka mbajtur një ligjëratë tematike për studentët e drejtimit të Shkencave të Ushqimit dhe Bioteknologjisë në UBT, ku ligjëroi temën më titull: “Kërkimi shkencor dhe zhvillimi i qëndrueshëm i shoqërisë- Roli i bioteknologjisë”.


Duke shpjeguar rolin e bioteknologjisë dhe rëndësisë së ruajtjes së mjedisit në të cilin jetojmë, Berisha tha se është përgjegjësi e të gjithëve ruajtja dhe kujdesja për një ambient të pastër dhe të përshtatshëm për pasardhësit tanë.


Tutje, profesori Berisha, i shoqëruar nga profesorët e UBT-së, realizuan një vizitë të shkurtër nëpër objektet dhe laboratorët e bioteknologjisë, me ç’rast mbeti i befasuar me kushtet dhe mundësitë që ofron UBT për studentët.


“UBT është vend i dijes dhe në të gjendet gjithçka që nevojitet për të krijuar ekspertë të përgatitur të së ardhmes”, vlerësoi ai, teksa shtoi se pajisjet që gjenden në UBT, i përkasin nivelit evropian.


Prof. dr Bajram Berisha është ligjërues në Universitetin Teknik të Munihut dhe në Universitetin e Prishtinës. Ai është ndër shkencëtarët me kontribut ndërkombëtar i njohur për fiziologji, gjenetikë dhe bioteknologji animale, e veçanërisht i mirënjohur për kërkimet e tij origjinale shkencore në fushën e angiogjenezës dhe fiziologjisë së organeve të riprodhimit.


Publikimet e tij shkencore janë cituar më shumë se 2500 herë dhe “Hirsch indeksi“ i tij aktual është h=30. Për të arriturat e tij kulminante shkencore në vitin 2012 nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) e Kosovës është zgjedhur “shkencëtari më i mirë i vitit”.