Dr.Anita Mirijamdotter nga Universiteti Linnaeus ligjëroi para studentëve të UBT-së

07/04/2015

Në kuadër të bashkëpunimeve ndërkombëtare, në UBT këtë javë ishte për ligjërim Dr.Anita Mirijamdotter nga Universiteti Linnaeus i Suedisë, e cila mbajti një cikël ligjëratash me studentët e nivelit master në drejtimin Sistemet e Informacionit.

 

Gjatë ditës së sotme, ligjëratën e saj me titull “Analiza, dizajnimi dhe modelimi i sistemeve të informacionit”, e përcollën një numër i madh i studentëve, të cilët u shprehën shumë të kënaqur me materie e shtjelluar nga zonja Mirijamdotter.

 

Ata gjithashtu theksuan faktin se përmes sjelljes së profesorëve nga universitetet prestigjioze në UBT, u krijohen mundësi të shumta të mësimit të përvojave dhe dijeve të reja.

 

Gjithashtu, dr.Anita Mirijamdotter u prit në një takim nga rektori i UBT-së, dr.Edmond Hajrizi. Në takim u diskutua për bashkëpunimin e deritashëm mes UBT-së dhe Universitetit Linnaeus, i cili është i shtrirë në disa fusha.

 

Po kështu, u diskutua për bashkëpunimin në të ardhmen, në kuadër të projektit Erasmus +, projekte të përbashkëta hulumtuese dhe zhvillime të tjera, sic është shkolla verore e të tjera.

 

Dr. Anita Mirijamdotter është profesoreshë e Informatikës në Universitetin Linnaeus, Suedi, që nga viti 2008, ku është edhe Shefe e Departamentit të Informatikës. Gjatë periudhës 2010-2012 ajo ishte prodekane e Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe Inxhinierisë, si dhe kryesoi Komitetin e Fakultetit dhe Bordin për Emërime Akademike. Ajo ka mbikëqyrur një numër të madhe studentësh të doktoratës.

Gjithashtu, dr. Mirijamdotter është paraqitur në një numër të madh konferencash ndërkombëtare, si dhe ka një numër të madh publikimesh në revista shkencore.