Dominique Bertail solli frymën e romanit grafik francez në UBT

09/05/2026

Në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT në Lipjan u mbajt një punëtori ekskluzive me artistin e njohur francez të romanit grafik, Dominique Bertail, në kuadër të aktiviteteve të Ditëve të Artit dhe Dizajnit 2026.

Punëtoria, e organizuar nga Fakulteti i Artit dhe Dizajnit në bashkëpunim me Gran Fest, mblodhi studentë dhe të rinj të apasionuar pas ilustrimit, dizajnit dhe storytelling-ut vizual.

Gjatë sesionit kreativ, Dominique Bertail ndau me pjesëmarrësit përvojën e tij ndërkombëtare në fushën e ilustrimit dhe romanit grafik, duke prezantuar procesin e krijimit të personazheve, zhvillimin e narrativës vizuale dhe teknikat bashkëkohore të ilustrimit.

Studentët patën mundësinë të bashkëbisedojnë drejtpërdrejt me artistin francez, të parashtrojnë pyetje dhe të marrin këshilla profesionale mbi zhvillimin artistik dhe sfidat e industrisë kreative moderne.

Kjo punëtori u vlerësua si një eksperiencë e rëndësishme profesionale dhe artistike për studentët e UBT-së, duke sjellë në Kosovë një prej emrave më të njohur evropianë të artit grafik bashkëkohor.