Dizajnerë të njohur austriakë në promovimin e shkollës së dizajnit në UBT

16/09/2016

Dy dizajnerë austriakë, fama e të cilëve njihet në krejt botën, Juergen Christian Hoerl dhe Martin Wagner, bashkë me stafin e UBT-së, kanë promovuar shkollën e dizajnit në UBT. Pjesëmarrës në këtë ceremoni ishin edhe përfaqësues të ambasadës austriake në Kosovë. Me këtë rast përfaqësuesit e UBT-së, Lulzim Beqiri, Venera Mustafa, Arban Muja dhe Lirigzona Morina, njoftuan mysafirët me drejtimin e ri, me mundësitë dhe kushtet që ofron UBT-ja për zhvillimin e një shkolle të mirëfilltë të dizajnit dhe modës, intershipet, si dhe për mundësinë e bashkëpunimit mes tyre.

 

I mahnitur me mundësitë që ofron UBT-ja për studentët, dizajneri Hoerl u shpreh se është shumë e rëndësishme “që në një vend të vogël si Kosova, të krijosh stil dhe të bësh mode”.

 

Sipas tij, njerëzit këtu janë të rinjë dhe kreativë. Ai u shpreh se mënyra e vetme për të arritur qëllimet dhe suksesin në këtë profesion është që të jesh kreativ, mos të të mungojë vullneti për punën që e bën, dhe mbi të gjitha, të bashkohen vazhdimisht teoria me praktikën.

 

Dizajneri tjetër, Wagner tha se mënyra më e mirë për të arritur deri tek suksesi i garantuar dhe rezultatet e dëshiruara është që, brenda mësimdhënies të përfshihen mendime, kultura dhe ligjërues të huaj e vendor.

 

“Në këto raste bëhet përzierja e kulturave dhe si rezultat, gjithmonë pason e veçanta”, tha ai.

 

Dizajnerët austriakë shprehën dëshirën që në të ardhmen të vijnë për të ligjëruar për një semestër ose edhe më gjatë në UBT, në mënyrë që me frymën e tyre të veçantë, të lënë gjurmë edhe tek studentët tanë.

 

 

UBT është institucioni më i madh i arsimit të lartë jo-publik, i cili nga ky vit akademik ofron studime Bachelor në dizajn të integruar të modës, dizajn grafik, dizajn industrial dhe dizajn të mobileve. Studimet integruara të dizajnit në UBT janë modeluar sipas metodologjisë së “Parsons  New York” dhe “Politecnico Milano”.