Dita e dytë e Konferencës “Ditët Austriake-Kosovare të Turizmit 2015”

18/09/2015

18 shtator – Konferenca “Ditët Austriake-Kosovare të Turizmit 2015”, e organizuar nga Shoqata Austriake-Kosovare, me mbështetjen e projektit Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat (PPSE), Odës Ekonomike të Austrisë dhe UBT-së, i ka vazhduar punimet në ditën e dytë të saj në hotelin “Magra” në Bogë të Rugovës.


Si edhe në ditën e parë, përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës, zyrtarë të pushtetit lokal të komunës së Pejës, ekspertë të turizmit dhe profesionistë të kësaj fushe, kanë diskutuar për ofertën turistike të Kosovës dhe problemet me të cilat përballet kjo fushë.

Gjithashtu, ata dhanë një varg idesh për përmirësimin e ofertës turistike të Kosovës, në të gjitha llojet e turizmit, duke u mbështetur në modelin austriak, si një model që ka dhënë shumë sukses, duke e bërë Austrinë një nga vendet me turizmin më të zhvilluar në Evropë.

Diskutimet dhanë gjithashtu shumë ide për zhvillimin e turizmit në Kosovë në të ardhmen, me ç’rast, me theks të veçantë u diskutua për strategjinë e turizmit të Kosovë deri në vitin 2020.


 

Qëllimi i konferencës “Ditët Austriake-Kosovare të Turizmit 2015” ishte promovimi i sektorit të turizmit në Kosovë dhe ofrimi i modelit dhe përvojave austriake në fushën e turizmit, si ndihmesë për zhvillimin ekonomik të Kosovës në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian, si dhe intensifikimi i bashkëpunimit midis Austrisë e Kosovës në fushën e turizmit dhe promovimin e zhvillimit ekonomik në këtë sektor.