Diellëza Xhemaili: Projektet e punuara në UBT më bënë një hulumtuese të mirë

29/07/2015

“Të gjitha projektet e bëra kanë qenë një mësim shumë i mirë për mua, të cilat edhe më kanë bërë që të jem aktive dhe të bëhem një hulumtuese e mirë sot”, thekson Diellëza

 

“Pasi kreva shkollën e mesme vendosa të regjistroj dy universitete, të cilat kanë drejtime të kundërta, pasi që isha e interesuar të marrë sa më shumë dije dhe të pajisem me njohuri të shumta nga disa fusha të ndryshme. Andaj, vendosa të regjistrohem në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, në drejtimin e Komunikacionit, dhe pastaj, duke bërë shumë hulumtime në universitete të ndryshme në Kosovë, vendosa të regjistrohem edhe në UBT”, shprehet Diellëza Xhemaili, e diplomuar në Fakultetin për Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi në UBT.


Ajo është duke i vazhduar prapë studimet në UBT, në nivelin master në drejtimin  Menaxhimi i Prokurimit Publik dhe Logjistikës. “Pasi gjatë studimeve të mia jam ndarë e kënaqur në UBT, unë prapë mendova t’i vazhdoj edhe studimet master dhe gjithsesi shpresoj që edhe gjatë kësaj kohe do të kaloj mirë me ju”, thotë Xhemaili.

Derisa lëndët e saj të preferuara kanë qenë matematika, mikroekonomia, makroekonomia , marketingu e të tjera, ajo thotë se të gjitha angazhimet e saj në UBT kanë qenë të rëndësishme gjatë periudhës  së studimeve.


“Të gjitha projektet e bëra kanë qenë një mësim shumë i mirë për mua, të cilat edhe më kanë bërë që të jem aktive dhe të bëhem një hulumtuese e mirë sot”, thekson Diellëza dhe shton: “Nga programi i studimit në UBT kam marrë njohuri të shumta dhe sot ato jam duke i praktikuar edhe në jetën time dhe në punë”.


Diellëza gjatë tërë kohës së studimeve ka qenë edhe duke punuar, kështu që, me gjithë mundësitë e ofruara, nuk ka marrë pjesë në udhëtimet studimore që i organizon UBT.

 

Ajo sot është duke punuar ne Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), në pozitën e hulumtueses në monitorimin e prokurimit publik të komunave. Institucioni ku ajo punon, KDI bën monitorimin e parlamentit, monitorimin e prokurimit publik, merret me qeverisjen lokale duke mbështetur zhvillimin e demokracisë, duke fuqizuar qytetarët dhe sektorin joqeveritar për të ndikuar në rritjen e transparencës, përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies së institucioneve qytetare dhe përmirësimit të efikasitetit të këtyre institucioneve përmes pjesëmarrjes së qytetareve në vendimmarrje.