Delegacioni i “University of Northern Iowa” dhe i Bashkisë së Cedar Falls vizituan Qendrën e UBT-së në Ferizaj

24/05/2023

Një delegacion i përbërë nga: Kryetari i Bashkisë së Cedar Falls në shtetin e Iowa-s, Rob Green, Presidenti i “University of Northern Iowa”, Dr. Mark A. Nook, kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, Presidenti i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, zhvilluan një vizitë në Qendrën e UBT-së në Ferizaj.

Me këtë rast, delegacioni takoi studentë dhe profesorë të UBT-së, me të cilët diskutuan për marrëveshjen ne mes UBT-së dhe “University of Northern Iowa”, mundësive unike për shkëmbime studentore në mes dy institucioneve, si dhe për zhvillimin e mëtejshëm të partneritetit në shumë programe të tjera.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi u shpreh se si UBT në Ferizaj kemi inkorporuar shumë programe të ndryshme, përfshirë menaxhimin, biznesin, ekonominë, dizajnin dhe arkitekturën, fusha specifike të cilat kanë potencialin për të ndikuar në arsimimin e të rinjve.

“Ne kemi programe të ndryshme këtu në Ferizaj, që përfshijnë: menaxhmentin, biznesin, ekonominë, dizajnin, arkitekturën, që janë fusha specifike të cilat mund të bëjnë impaktin e tyre në edukimin e të rinjve. Ferizaj është një komunë me një mundësi të lartë të zhvillimit edhe përshkak të pozitës gjeografike, por edhe kampit “Bondsteel”. Ne kemi histori suksesi të shumta të studentëve tanë në Ferizaj, të cilët veçse punojnë në shumë kompani lokale, por edhe rajonale. Ne jemi duke punuar në zhvillimin e programeve të tjera të reja dhe unike për të rinjtë e kësaj komune”, tha rektori Hajrizi.

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu foli rreth binjakëzimit me Komunën e Cedar Falls, me ç’rast theksoi se kjo marrëveshje është e rëndësishme jo vetëm përshkak të besimit ndaj njëri-tjetrit dhe dëshirës për të ndërtuar lidhje të forta, por është veçanërisht e rëndësishme për shkak të historisë. Ai shprehi kënaqësinë e tij për përfshirjen e të rinjve në këtë marrëveshje, përmes sferës së arsimit dhe edukimit.

“Sot është një ditë e shënuar për Komunën e Ferizajt, një vizitë që është përgatitur gjatë është realizuar me një marrëveshje për bashkëpunim ose binjakëzim të dy komunave. Kjo është një shenjë jo vetëm për besimin që kemi ndaj njëri tjetrit, e jo vetëm për ura më të fuqishme që dëshirojmë të ndërtojmë mes nesh, por është një marrëveshje e veçantë për shkak të historisë që kemi. Jam shumë i lumtur që të rinjtë tanë do të jenë pjesë e kësaj marrëveshje, duke përfshirë fushën e arsimimit dhe të edukimit”, u shpreh Aliu.

Në fjalën e tij, kryebashkiaku i Cedar Falls, Rob Green vlerësoi bashkëpunimin ndërmjet dy institucioneve dhe njëherit u shpreh i mahnitur për binjakëzimin me Komunën e Ferizajt.

“Jam vërtetë i mahnitur nga kjo mundësi për të lidhur një bashkëpunim me Komunën e Ferizajt. Partneriteti që kemi krijuar këto tri vitet e fundit, mes kryetarit Aliu dhe mua, sot është formalizuar me nënshkrimin e marrëveshjes së binjakëzimit. Shpresoj që do të kemi një bashkëpunim me dekada në të ardhmen. Unë jam shumë i dhënë pas qytetarëve. Gjithashtu, jam shumë i lumtur edhe për marrëveshjen në mes Universiteti të Iowa-s veriore dhe UBT-së”, tha Green.

Drejtoreshë e Rekrutimit dhe Pranimeve Ndërkombëtare pranë “University of Northern Iowa”, Dr. Kristi Marchesani, theksoi se bashkëpunimi ndërmjet dy universiteteve është një mundësi unike për të rinjtë e të dyja vendeve.

“Jeni me fat që studioni në UBT, sepse keni një rektor që ju mbështet dhe ju thotë gjithmonë po për të shtyrë proceset përpara. UBT dhe “University of Northern Iowa”, tanimë kanë bashkëpunim dhe jam e lumtur që po prezantojmë diçka të tillë para juve. Jam shumë me fat që po shoh dëshirën e zjarrtë që keni për të studiuar dhe punuar. Disa prej studentëve që tashmë janë pjesë e Iowa-s punojnë në kampuse, punojnë në hulumtime me profesorë dhe janë bërë pjesë e komunitetit atje. Kjo është ëndrra juaj dhe bëjeni atë të realizueshme”, potencoi Marchesani.

Presidenti i “University of Northern Iowa”, Dr. Mark A. Nook tha se bashkëpunimi me UBT-në është shumë i rëndësishëm për studentët të kuptojnë nga kultura, popuj dhe njerëz të ndryshëm.

“Ne e dimë që marrëveshja në mes UBT-së dhe Universitetit të Iowa-s veriore është shumë e rëndësishme për studentët tanë të kuptojnë nga kultura, popuj dhe njerëz të ndryshëm. Është një mundësi që studentët e Iowa-s të vijnë në UBT, të mësojnë dhe të marrin njohuri të reja, si dhe anasjelltas për studentët nga UBT të vijnë në Iowa dhe të përfitojnë eksperienca të reja. Kjo ndihmon në bashkëpunimin e barabartë të të dy universiteteve”, potencoi Nook.