Botohet libri Transmetuesi publik, i ligjëruesit në UBT, dr. Ferid Selimi

17/03/2016

Ka dalë nga shtypi libri shkencor, Transmetuesi Publik, i autorit, dr.Ferid Selimi. Është ky libri i shtatë i tij që ua jep lexuesve, ndërsa i dyti i natyrës shkencore. Libri, pos trajtimit të gjithanshëm të transmetuesit publik në Kosovë – RTK, e jep një pasqyrë të qartë edhe për informimin pas luftës së dytë botërore, sfidat, pushtimin e mediave nga Serbia, zhvillimet e pasluftës në të, organet drejtuese të tij, për bashkëdrejtimin me ndërkombëtarët, zgjerimin e programeve, reformat dhe infrastrukturën ligjore, mënyrën e financimit, si dhe për dhjetëra elemente të tjera që i përkasin këtij transmetuesi publik kosovar. Libri u jep mundësi të mira hulumtimi studentëve, sidomos atyre që e studiojnë gazetarinë.


Transmetuesi publik, i autorit, dr. Ferid Selimi, s’është thjesht një rrëfim, apo përshkrim i të bërave dhe të  pabërave nga transmetuesi publik – RTK, por një shkencë e mirëfilltë që rezonon thellë dhe që jep edhe zgjidhje: se si duhet të funksionojë një transmetues publik, në rastin konkret – RTK-ja.


Dr.Selimi, aktualisht ligjërues në UBT, ka të botuara edhe librat: Qeverisja vendore – shqyrtime krahasimtare; Pellgu i dhembjes (bashkautor); Muzeu i jetës; Mizëkapuçët; Kujtime të thinjura I dhe Kujtime të thinjura II. Po ashtu, ka marrë pjesë në dhjetëra konferenca shkencore, kombëtare e ndërkombëtare, si dhe ka botuar një gamë punimesh të prezantuara. 

Autori është i lindur në Preshevë, më 1963. Në rrafshin akademik ka doktoruar në fushën e gazetarisë.