Biznes-plani “BioShop” i treti në garën për biznes-plane në UBT

04/03/2015

Ushqimet organike – e ardhmja e industrisë ushqimore në Kosovë

Biznes-plani “BioShop”, i punuar nga studentët e vitit të tretë në Fakultetin për Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi, Dina Demiri, Marigona Xhemajli, Donika Ismaili, Fatbardha Pacolli dhe Anesa Hoxha, zuri vendin e tretë në garën e organizuar në kuadër të Projektit për Ndërmarrësi të përkrahur nga Ambasada e SHBA në Prishtinë.

 

Marigona Xhemaili, në emër të anëtarëve të grupit,  flet për “UBT News” për rrjedhën e përgatitjes së këtij biznes-plani, të vlerësuar në mesin e mbi 40 planeve, në të cilat ishin të angazhuar rreth 200 studentë të UBT-së.

 

UBT News: Ju keni zënë vendin e tretë me biznes-planin e emërtuar “BioShop”. Si lindi ideja për këtë temë dhe kush ishin anëtarët e tjerë të grupit?

Xhemaili: “BioShop” synon të jetë një kompani që do të merret me shitjen e ushqimeve organike. Ideja për këtë biznes-plan është e bazuar në një ngjarje të pikëllueshme. Familjarja e njërës prej anëtareve të grupit, vite më parë, është prekur nga sëmundja e kancerit, dhe, në mënyrë që sot të mos rrezikohet përsëri nga kjo sëmundje, ushqehet me produktet që kjo kompani synon t’i shesë. 

 

UBT News: Cilët faktorë ndikuan në përzgjedhjen e temës?

Xhemaili: Arsyeja kryesore se pse pikërisht kjo temë është zgjedhur përball alternativave të tjera është për shkak se çdo ditë e më shumë ne përballemi me sfida dhe sëmundje të ndryshme që na ofron jeta, për të cilat ende nuk është gjetur shërim. Mirëpo, fatmirësisht ekzistojnë disa mënyra për t’i parandaluar apo luftuar ato me anë të ushqimit organik. Gjithashtu, shumë individë kanë pasion jetën e shëndetshme, mirëpo e kane të pamundur që t’i gjejnë këto produkte në Kosovë, andaj detyrohen të vizitojnë vendet fqinje si Maqedonia apo Serbia për t’u pajisur me këto produkte. Arsye tjetër është se ndoshta edhe bujqit kosovarë do të motivohen dhe do të fillojnë të mbjellin ushqime organike vendore. Në këtë mënyrë, përveç që njerëzit do të kishin shëndet të mire, gjithashtu edhe toka e planeti do të mbroheshin nga kemikalet, pesticidet dhe gjërat artificiale që po e shkatërrojnë. 

 

UBT News: A mund të na jepni sa më shumë detaje rreth përmbajtjes së biznes-planit dhe si e keni planifikuar ju realizimin në praktikë të idesë suaj? 

Xhemaili: Gjatë hulumtimit të bërë kemi vërejtur se tregu i Kosovës ballafaqohet me mungesë të ushqimit organik, ku kërkesa për këto produkte është shumë e lartë. Andaj biznesi “BioShop” do të jetë biznes i llojit ndërmarrje tregtare, që do të ofrojë për klientët e saj ushqime të llojllojshme organike, të cilat janë të shëndetshme. Këto produkte do të importohen nga vende e rajonit. Biznesi do të jetë biznes i vogël, me një pronar, i cili do të gjendet në Prishtinë. Vizioni i kompanisë është: Të jetë lider në mbështetjen e jetesës së shëndetshme përmes sigurimit të cilësisë së lartë të produkteve organike dhe eko-miqësore. Produktet e kompanisë përfshijnë ushqime të shumëllojshme organike, duke filluar nga erëza të ndryshme për ushqime e deri tek gjellërat. Fillimisht biznesi planifikon të startojë me një numër të limituar produktesh ku përfshihen: Meli, Lente, Orizi integral, Fasulet e zeza, Fasulet e kuqe, Fasulet Mungo, Helda, Kuinoa, Makarona të thekrës, Makarona nga soja dhe hithra dhe Kurkumi. 

Megjithëse mund të duken abstrakte në emër, benefitet që përcillen në trupin tonë falë këtyre ushqimeve janë të panumërta, për arsye se: rrisin energjinë, ndihmojnë në dobësim, janë antibiotik natyralë, ndihmojnë të pamurit, sistemin e tretjes dhe funksionimin e trurit, janë të pasur me minerale e vitamina, janë ilaç natyror kundër plakjes dhe depresionit dhe, çka është më e rëndësishmja ndihmojnë në parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve prej atyre të pashërueshme si: kanceri, HIV, Alzheimeri, diabeti, sëmundjet kardiake etj. Natyrisht për t’u paëe se a kemi shanse për të operuar në tregun kosovar, ne kemi realizuar disa analiza të tregut ku përfshihen analiza e industrisë, analiza e konkurrencës dhe analiza e konsumatorëve.

Sa i përket analizës së industrisë, modeli qe kemi përdorur për të bërë hulumtimin është PEST analiza (analiza e faktorëve politikë, ekonomikë, socialë dhe teknologjikë), ku edhe kemi ardhur në këto konkludime:

P(Politike) – Vendi ynë karakterizohet me një politikë jostabile dhe nuk ka mundësi që të ndihmojë biznesin tonë në minimizimin e tatimit mbi vlerën e shtuar apo atij në fitim. Sa i përket tregtimit të produkteve organike, kemi përparësi pasi që jemi pjesë e marrëveshjes CEFTA-së dhe bëjmë tregti të lirë me vendet anëtare, pra nuk ngarkohemi me taksa doganore.                                                                  E(Ekonomike) – Niveli i papunësisë i lartë në Kosovë, mund të ndikojë që konsumatorët të blejnë produkte më të lira, apo edhe në fazat e inflacionit ndodh e njëjta. Normat e larta të interesit në marrjen e kredive ndikojnë negativisht dhe gjithashtu edhe politikat ekonomike ndikojnë tek furnitorët që të mbajnë çmimet e larta gjatë furnizimit të biznesit me produkte organike.

S (Sociale) – Vite më parë popullsia e Kosovës ishte e koncentruar në zona rurale, kurse tani pothuajse çdo qytet është i urbanizuar në mënyrën e vet dhe ka më shumë popullsi. Me rritjen e popullsisë së bashku rriten edhe kërkesat e tyre. Kultura shqiptare sa i përket ushqimit është shumë e hapur dhe e pasionuar pas ushqimeve tradicionale siç janë: fasulet dhe gjellërat e ndryshme. Përveç kësaj, Kosova kategorizohet me popullatë më të madhe të moshës së re, ku trendi i të qenit “fit” ka depërtuar edhe në mendjet e tyre. 

T (Teknologjike) – Teknologjia është duke ndryshuar çdo minutë dhe po na bënë jetën më të lehtë në çdo aspekt. Shkalla e inovacionit është shumë e lartë. Falë këtij zhvillimi teknologjik, me anë të marketingut, shitjeve online apo rrjeteve sociale ne mundemi shumë shpejt dhe lehtë të depërtojmë në nivel kombëtar dha global.

Sa i përket konkurrencës në tregun nacional nuk do të ballafaqohemi me konkurrentë pasi që “BioShop” do të jetë i pari në Kosovë sa i përket shitjes të ushqimeve organike. Rreziku i vetëm i konkurrencës që kemi vjen nga vendet e tjera të Ballkanit, siç janë Serbia, Maqedonia, Shqipëria, ku konsumatorët prej Kosovës shkojnë enkas për të blerë këto produkte në këto shtete. Anët e forta të konkurrentëve janë se kanë llojllojshmëri të produkteve, ofrojnë çmime të volitshme dhe janë veç biznese ekzistuese. Ndërsa anët e dobëta janë se gjenden jashtë shtetit, udhëtimi për të arritur deri aty krijon kosto të lartë dhe jo të gjithë të interesuarit mund të kenë qasje në këto produkte. 

Andaj, si rezultat i kësaj, ne i kemi ndarë konsumatorët në tre target grupe, ku targeti i parë janë konsumatorët me probleme shëndetësore, targeti i dyte konsumatorët e thjeshtë, dhe i treti, konsumatorët vegjetarianë.

Pra, si konkluzion, të ushqyerit me ushqim organik është një prej prioriteteve që secili person duhet ta ketë në jetë për shkak se me anë të tyre individët do të jenë në gjendje të jetojnë një jetë pozitive dhe të shëndetshme. Gjithashtu, një kontribut i madh do të ishte edhe për planetin Tokë, për shkak se do të bëhet mbrojtja e tij duke mos përdorur gjëra artificial për t’i mbjellë këto produkte.

 

(Tekstin e plotë mund ta lexoni në numrin e ri të gazetës “UBT News)