Biblioteka Mjekësore dhe e Shkencave të Jetës në UBT pasurohet me 20 mijë libra të rinj

24/02/2016

Së fundmi, Biblioteka Mjekësore dhe e Shkencave të Jetës në UBT u pasurua me më shumë se 20 mijë libra të rinj nga Shtetet e Bashkuara. Librat u dhuruan nga kolegë tanë pedagogë dhe studentë nëpër universitete të ndryshme amerikane dhe me kontributin thelbësor të Projektit Ndërkombëtar të Librit në Leksington të shtetit të Kentakit. Nën drejtimin e dekanes së Shkollës së Infermierisë së Universitetit të Floridës së Veriut, Dr. Linda Konelli (Linda Conelly), Shoqata e Studentëve të Infermierisë të Universitetit të Floridës së Veriut (ShSI UFV) dëshironte të bëhej pjesë e këtij projekti duke mbledhur sa më shumë libra universitarë që të mundej për t’ia dërguar UBT-së në Kosovë që ky të hapë librarinë e vet të parë të programit të infermierisë. ShSI UFV-ja ia doli të mblidhte më shumë se 1000 libra në vjeshtë të vitit 2015 dhe i nisi ata në Kosovë nëpërmjet Projektit Ndërkombëtar të Librit.


UBT-ja i mori librat dhe UFV-ja planifikon ta vazhdojë këtë partneritet duke mbledhur libra të tjerë këtë pranverë për t’i nisur ata në Kosovë përpara 1 majit. Kjo përvojë ishte nxitëse dhe prekëse, duke na kujtuar se sa mirënjohës duhet të jemi. Në një letër dërguar UBT-së, studentët nga Florida thanë se shpresonin të kishin luajtur “një rol të vogël në ndihmën për të hapur një program të ri infermierie, duke inkurajuar kështu një ndjenjë globale të bashkësisë në fushën e kujdesit shëndetësor”.


Studentët dhe pedagogët thanë:

Aleks Ferose (Alex Feroce): Ishte nder për mua të isha pjesë e një projekti kaq të mrekullueshëm dhe ai më bëri të vlerësoj burimet që ne studentët kemi në dispozicion. 


Xhes Stivens (Jess Stephens): U përmbyta nga bujaria dhe mbështetja që ofruan pedagogët e UFV-së përgjatë gjithë procesit. Ishte e mrekullueshme të shihje zhvillimin e projektit qysh prej ditës së parë dhe ndihem i prekur që isha pjesë e këtij viti të parë të dhurimit.


Dr. Linda Konelli (Linda Connelly): Duke zhvilluar projektin ndërkombëtar të librit, shpejt kuptuam se ishim shumë mbrapa me procesin e transportit. Nëpërmjet mirësisë dhe nxitjes së Z. Majkëll Troter (Michael Trotter), Mbikqyrës për Dërgesat dhe Marrjet në UFV, projekti ynë i dha frytet me lehtësi.


Veronika (Veronica): Për mua, infermieria ndërtohet mbi dhënien dhe duke marrë pjesë në projektin ndërkombëtar të librit, ndjeva se mund të isha në gjendje të jepja në nivel global.

Enxhi Marini (Angie Marini): Unë fillova në pjesën e dytë të projektit, i cili përbëhej nga transportimi dhe grumbullimi i librave prej zyrave të profesorëve, ku ata gjendeshin. Nuk besoj të kem qenë rrethuar ndonjëherë nga kaq shumë libra mjekësorë. Duke ditur që në po i dhuronim ata për një vend në zhvillim ishte shumë prekëse dhe unë mezi pres ta vazhdoj këtë projekt në të ardhmen.