Biblioteka e UBT-së pasurohet me 25 mijë libra shkencorë, priten edhe 50 mijë të tjerë

20/01/2014

Profesori Peshkopia furnizon bibliotekën e UBT-së me tituj të librave nga SHBA-ja

 

Biblioteka e UBT-së pasurohet me 25 mijë libra shkencorë, priten edhe 50 mijë të tjerë

 

Prishtinë, 20 janar 2014- UBT-ja në bashkëpunimi me stafin akademikë, në këtë rast me prof. dr. Ridvan Peshkopia, gjatë këtyre ditëve bibliotekën akademike të lartë, e ka furnizuar edhe me 25 mijë tituj të rinj të librave shkencore, të ardhura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga të gjitha fushat që studiohen në UBT. Po ashtu, profesori Peshkopia, paralajmëron se kontingjenti tjetër me libra të tillë është në rrugëtim e sipër, po me shifrën e njëjtë, me 25 mijë libra. 

 

Shkëpusim një pjesë të intervistës së profesorit Peshkopia dhënë për gazetën “UBT News”, e cila pritet të publikohet në numrin e ardhshëm.

 

UBT News: Çfarë ju ka motivuar të bashkëpunoni me UBT-në me fokus të veçantë për bibliotekën, sjelljen e librave nga SHBA-ja?

Prof. Peshkopia: Pas një përvoje akademike në disa universitete amerikane, unë u ktheva përkohësisht në Shqipëri dhe Kosovë (unë nuk i shikoj ato të ndara) për të qenë më pranë familjes time dhe për të kontribuar me aq sa mundesha për përmirësimin e standardeve akademike në vendin tonë. Qysh kur jam kthyer, kam dhënë mësim edhe në dy universitete të tjera në Shqipëri e Kosovë, por rrethanat e sollën që të filloj me kohë të plotë në UBT dhe për këtë jam shumë i lumtur. Në fakt, unë kam ndihmuar edhe dy universitetet ku kam punuar më parë, në pasurimin e bibliotekave të tyre, por mbështetja që kam gjetur në UBT më ka frymëzuar për t’u përqendruar në krijimin e një biblioteke shumë të madhe këtu. UBT-ja është shfaqur si një partner serioz në planet e mia, për të krijuar një bibliotekë akademike gjigante dhe fillimi ka qenë shumë i mbarë. Ne tashmë kemi filluar dhe 25 mijë librat e parë kanë ardhur nga ShBA-ja. Pas pak muajsh do të vijnë edhe 25 mijë të tjerë. Ndërkohë, në UBT po vazhdon puna për katalogimin e librave që sapo kanë mbërritur. Jam shumë i lumtur që UBT-ja po i përgjigjet me korrektësi këtij dinamizmi të punëve dhe kjo është mënyra më e mirë për të bashkëpunuar me partnerët tanë amerikanë. 

 

UBT News: Profesor, a mund të na jepni disa detaje rreth këtyre titujve si dhe për procesin e sjelljes së këtyre librave, që nga gjetja e tyre, dhe deri në finalizim? 

Prof. Peshkopia: Lajmi i mirë është se ky proces nuk do të finalizohet kurrë; ky është një proces i hapur dhe që nuk ka kufij kohorë. Për sa kohë shtypen libra të rinj, ne duhet të jemi në kërkim të pasurimit të bibliotekës tonë. Por, tani për tani ne kemi disa objektiva afatshkurtër dhe afatmesëm. Një objektiv afatshkurtër është sjellja brenda vitit 2014 edhe e 50 mijë librave të rinj. Kjo do ta plotësonte bibliotekën tonë si një nga bibliotekat akademike të lartë më të mëdha në Ballkan. Ne shpresojmë që ky ritëm të vazhdojë edhe për vitin në vazhdim. Por, ky projekt do të kulmojë kur UBT-ja të ndërtojë godinën e bibliotekës së re në kampusin e Lipjanit. Unë nuk mund të them se kur kjo do të ndodhë konkretisht, por e di që UBT-ja e ka këtë plan. Ne i gjejmë librat në universitete apo privatisht në ShBA, e të cilët janë të gatshëm t’i dhurojnë ata me bujari, cilitdo që paraqet seriozitet në vënien e tyre në përdorim. UBT-ja, me trupën e saj të mrekullueshme të studentëve, pedagogëve dhe kërkuesve ka treguar se jo vetëm ka nevojë për një bibliotekë të pasur.

 

Që nga sot këta tituj janë të renditur në raftet  e kësaj Biblioteke,  dhe mund të shfrytëzohen nga të gjithë të interesuarit.

 

Intervistën  realizuan studentët e Fakultetit për Media dhe Komunikim në UBT.