Bashkëpunimi me UBT-në, pjesë e librit të edicionit të parë të Autostradës Biennale

18/12/2018

UBT ka qenë partner i ngushtë në organizimin e edicionit të parë të ngjarjes madhore të artit, “Autostrada Biennale”, që zhvilloi punimet që gjatë verës së vitit 2017.

Prandaj, në të ashtuquajturin Libër i Përbashkët, ideatorët e Autostradës Biennale ia kushtuan një shkrim të veçantë bashkëpunimit dhe kontributit të UBT-së për këtë organizim.

 

Dhjetëra profesorë dhe studentë në UBT ndihmuan në mbarëvajtjen e këtij organizimi, duke punuar si arkitektë, dizajnerë, gazetarë e inxhinierë, dhe e tërë kjo, me qëllimin që Autostrada Biennale të dilte po aq bukur, sa edhe ishte paraparë.

 

Nga realizimi i punëve në menaxhimin e hapësirave të artit, tek punët e produksionit, koordinimi, mbulueshmëria mediale dhe përgatitja e skenave, janë disa nga punët në të cilat ndihmuan stafi dhe studentët vullnetarë të UBT-së. Megjithatë, vëmendjen më të madhe të publikut dhe që do të mbahet mend si inovacion identifikues i edicionit të parë të Autostradës Biennale, e ka marrë ndërtimi i projektit të artistit, Sašo Sedlaček, i quajtur “Roboti Lypsar”, i ndërtuar nga studentët e Mekatronikës në UBT, Kenan Alija e Kushtrim Ajvazaj dhe nga nxënësi Nart Gashi.

 

Për tërë këtë gjallëri që vullnetarët nga UBT ia dhanë Autostradës Biennale, rektori i UBT-s+, prof dr Edmond Hajrizi, ishte shprehur se ndjehej i lumtur me ndihmën dhe inovacionet që studentët e UBT-së ia dhanë një ngjarjeje të tillë artistike të rëndësishme për Kosovën, që solli në vend edhe shumë turistë ndërkombëtarë.