Banka “ProCredit” ofron mundësi praktike për studentët e UBT-së

18/05/2017

Në UBT është mbajtur sesioni informues për mundësitë e angazhimit praktik të studentëve të Fakultetit Menaxhimet, Biznes dhe Ekonomi në bankën “ProCredit”.

Në kuadër të këtij sesioni janë prezantuar mundësitë mbi programet profesionale që ofrohen nga banka për studentët.

 

Me këtë rast përfaqësuesit e bankës kanë thënë se programi i praktikës ka për qëllim që t’i ofrojë studentëve që janë në studime, mundësi praktike dhe përfitim të përvojës së punës.

Lirik Bakalli, përfaqësues i bankës “ProCredit”, ka theksuar se “ProCredit Entry Programm”, është pika e vetme e qasjes në karrierë me bankën. Sipas tij, banka ofron aftësim profesional, në kuadër të së cilit organizohen module të larmishme, hulumtime, projekte e prezantime.

 

Konkursi për praktikë aktualisht është i hapur për gjithë studentët e UBT-së, përderisa kandidatët e përzgjedhur do të fillojnë praktikën në muajin korrik, si dhe do të fitojnë bursa. Studentët që do të fitojnë mundësinë për praktikë, mund të kalojnë edhe në programin e punësimit.