Banka BPB fton studentët e UBT-së në programin për punë praktike, BPB Juniors – Aplikimi ende i hapur

01/11/2018

Dhjetëra studentë të të gjitha fakulteteve u mblodhën në UBT për të marrë pjesë në sesionin informues të Bankës BPB, për të marrë informacione mbi programin “BPB Juniors:, që synon të ofrojë punë praktike dhe mundësi punësimi për studentët e UBT-së.

Kjo mundësi është jetësuar falë bashkëpunimit të UBT-së, konkretisht Qendrës së Karrierës dhe Bankës BPB.

 

Drejtori i Qendrës së Karrierës në UBT, Halil Bashota i ftoi studentët që të shfrytëzojnë këtë dhe shumë mundësi të tjera, që UBT po i ofron në vazhdimësi, duke i afruar studentët me tregun e punës.

“UBT po punon sistematikisht që të mbajë lidhjet me partnerët nga industria, në mënyrë që për studentët të ofrojë mundësi për internship dhe punësim, e në të njëjtën kohë, edhe industrisë t’i sigurojë të rinj entuziastë dhe të përgatitur për treg”, theksoi ai.

 

Udhëheqësja për Burime Njerëzore në BPB, Anita Kosumi- Ajeti u dha studentëve informacione për punën, shtrirjen dhe funksionimin e bankës, teksa i këshilloi studentët që ta shfrytëzojnë programin BPB Juniors për të nisur karrierën e tyre në sistemin bankar.

“Të rinjtë që kanë ndjekur programin jo vetëm që janë punësuar në bankën tonë, por kanë qenë të gatshëm dhe janë punësuar edhe nëpër kompani të tjera”, tregoi ajo.

 

Sipas saj, mundësi për të marrë pjesë në program kanë studentët e të gjitha drejtimeve, të cilët kanë njohuri të mira komunikuese, aftësi interpersonale, ambicie dhe dëshirë për t’u zhvilluar, qasje pozitive dhe analitike, si dhe njohuri të gjuhës angleze.

 

E përvojën e tyre e ndanë edhe dy studentet e UBT-së që e kanë ndjekur edicionin e parë të programit BPB Juniors, Armira Fetoshi dhe Blerta Troshupa, të cilat falë këtij programi tashmë janë të punësuara në bankë.

 

Të gjithë të interesuarit për aplikim duhet të dërgojnë letrën motivuese dhe CV-në në Qendrën e Karrierës së UBT-së, më së largu deri të mërkurën, më 7 nëntor.