Artisti Nir Alon ligjëron dhe realizon vepër artistike në UBT

20/03/2019

Instalacione me materiale që janë nxjerrë nga përdorimi dhe ligjërata tematike e mbajtur nga artisti i njohur gjerman, Nir Alon, mblodhën në UBT dhjetëra studentë të Fakultetit të Dizajnit të Integruar, të cilët shfaqën interesim të jashtëzakonshëm për mënyrën e punës dhe veçoritë e veprave të këtij artisti, i cili sqaroi tërë punën e tij shumëvjeçare si artist.

 

Ai prezantoi para studentëve disa nga veprat e tij artistike më të njohura, teksa shpjegoi edhe materialet që përdorë, mesazhet që fshihen pas veprave të tij, si dhe inspirimin që buron nga përditshmëria.

“Gjithmonë kam dashur që në veprat e mia të bëj diçka që është e vështirë të realizohet. Kjo ishte një zgjedhje e imja, e detyruar nga gjërat që nuk më kanë pëlqyer”, tha Alon.

 

Ai i këshilloi studentët që të mendojnë më shumë për veten, se kush duan të bëhen, çfarë duan të arrijnë, çfarë duan të lënë pas vetes dhe si dëshirojnë që të mbahen mend nga të tjerët. Sipas tij, vetëm në këtë formë, ata do të bëhen të veçantë.

 

Alon ka krijuar disa vepra artistike në UBT, për të cilat ka shfrytëzuar materiale që nuk përdoren më.

 

Nir Alon në të shumtën e rasteve zhvillon skulpturat e tij nga artikujt e jetës së përditshme, si dyshemetë, dollapët, llambat, kabllot, dhe rrjedhimisht edhe instalacionet janë të vendosura drejtpërdrejt në vendin e ekspozitës.