Arkitektët kosovar finalistë në garën më të madhe ndërkombëtar për arkitekturë

27/09/2017

Studentët e Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT, dega në Ferizaj,  Qëndrim Begisholli, Besim Krosa dhe Leart Miftari, në bashkëpunim me profesorët e tyre, Arbër Sadiki dhe Arnisa Kryeziu, u përzgjodhën në mesin e 30 finalistëve në konkursin ndërkombëtar për arkitektë të rinj, “Young Architects Competitions”.


Rezultatet e këtij konkursi janë sinjal i mirë për të gjithë studentët që, plasimi në sferën ndërkombëtare të arkitekturës është i mundshëm dhe vjen përmes konkurseve të denja dhe të pastra arkitektonike, me ç’rast kjo mundësi më së lehti arrihet përmes studimit në UBT.


Kriteret dhe kërkesat e këtij edicioni kanë qenë dizajnimi i një kompleksi të shtëpive të obzervimit të qiellit nokturnal, pranë kalasë shumëshekullore të qytetit Roccascalegna, në Itali, teksa sfida e grupit punues ishte ruajtja dhe promovimi i vlerave ekzistuese të arkitekturës së kalasë dhe natyrës rrethuese, si dhe sigurimi i funksioneve të reja duke krijuar një simbiozë në mes të resë dhe të vjetrës.

 

Anëtarë të jurisë profesionale në këtë garë ishin arkitektë shumë prezentë dhe aktivë në skenën ndërkombëtare të arkitekturës, përfshirë Enrique Sobejano nga Nieto Sobejano Arquitectos, në Madrid, Rodrigo Duque Motta nga Santiago, Nicodemos K. Tsolakis nga Tsolakis Architects, në Nikozi, pastaj Felix Perasso nga Snohetta, në Innsbruck, Simon Frommenwiler nga Hhf Architects, në Bazel,  Pippo Ciorra nga Fondazione Maxxi, në Romë, Francesco Cotellessa nga Oappc, në Chieti, si dhe përfaqësues e zyrtarë të institucioneve kulturore dhe lokale të Italisë.


Young Architects Competitions (YAC) është një platformë ndërkombëtare, e cila nxitë konkurset e arkitekturës me qëllim të promovimit të talentit dhe kreativitetit të dizajnuesve dhe arkitektëve të rinj, në revistat dhe platformat digjitale më të denja të arkitekturës.


Gjithashtu, qëllimi i YAC është të nxisë hulumtime rreth dizajnit duke provokuar reflektime rreth vendeve fizike për aktivitete njerëzore, të cilat çdo ditë po bëhen gjithnjë e më të paparashikueshme dhe dinamike.

 

Detajet tjera rreth konkursit mund t’i gjeni në këtë vegzë: 

http://www.youngarchitectscompetitions.com/other-editions/view/id/25#winners