Arkitektja Lorika Hisari ligjëroi para studentëve të UBT-së për hapësirat publike si trashëgimi urbane

03/12/2018

Arkitektja dhe dizajnerja urbane, Lorika Hisari ka mbajtur ligjëratë tematike për studentët e Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT, konkretisht për ata të specializimit “Dizajn i Qëndrueshëm”, me ç’rast ka trajtuar temën më titull: “Hapësirat publike si trashëgimi urbane: Ruajtja e Qendrës Historike të Prizrenit përmes përmirësimit të mobilitetit”.

 

Hisari tregoi për ruajtjen e zonave historike si trashëgimi urbane sipas rekomandimeve të UNESCO-s, përkatësisht rekomandimet mbi peizazhin urban historik, pastaj sqaroi edhe llojet e hapësirave publike dhe rolin e dizajnit urban në krijimin e vendeve për njerëz.

 

Para studentët, ajo shfaqi si rast studimi Kosovën, ku u analizuan fenomenet socio-kulturore në periudhën pas konfliktit dhe ndikimet në mjedisin e krijuar, si dhe u analizua Qendra Historike e Prizrenit, konkretisht u bë analiza e nënzonës, analiza e moblilitetit dhe opsioni për përmirësimin e tij për një zgjidhje të qëndrueshme.

 

Në fund të ligjëratës pasoi diskutimi me studentë, ku edhe arkitektja Hisari dha mendimin e saj profesional mbi çështjet e shtruara për diskutim.