ANV-të e Shkencave Mjekësore do të sjellin në Kosovë kompani të njohura dhe ekspertë nga mbarë Evropa

28/06/2018

Për herë të parë, edicioni i shtatë i Akademisë Ndërkombëtare Verore të UBT-së, do të pasurohet me aktivitetin e shkencave mjekësore, Stomatologjisë, Farmacisë e Infermierisë.

Të gjithë studentët e UBT-së dhe më gjerë, të cilët duan t’i zgjerojnë njohuritë e veta me përvoja e mësime nga ligjërues e profesionistë të këtyre fushave nga e mbarë bota, e kanë mundësinë unike që këtë ta arrijnë përmes pjesëmarrjes në akademinë e këtyre fushave.

The University of Edinburgh në Mbretërinë e Bashkuar, University of Dusseldorf “Heinrich Heine” në Gjermani, University of Zagreb në Kroaci, Elisabeth Campestrini në Austri, Istanbul University në Turqi, do të sjellin ligjëruesit e tyre që të ndajnë përvojat unike profesionale me të rinjtë nga Kosova.

Veçantia tjetër që do ta karakterizojë ANV-në e fushës së Stomatologjisë, është pjesëmarrja e përfaqësuesve të kompanisë së njohur botërore, “SIRONI”, e cila merret me krijimin e pajisjeve dhe projekteve tjera inovative teknologjike në fushën e stomatologjisë.

Ata do të prezantojnë para pjesëmarrësve shpikjet dhe pajisjet e fundit teknologjike, të realizuara prej kompanie, por që menjëherë kanë gjetur përdorim në mbarë botën.

Deri tash kanë aplikuar mbi 60 pjesëmarrës në akademitë e fushave mjekësore, teksa aplikimi po vazhdon të mbetet i hapur edhe për disa ditë.

Për aplikim në akademinë e Stomatologjisë, Farmacisë dhe Infermierisë, mund të aplikoni në linkun: http://sa.ubt-uni.net/ .