ANV-ja e Arkitekturës, e pasur me shumëllojshmëri temash

24/07/2018

ANV-ja e Arkitekturë, në të cilën studentët janë ndarë në grupe punuese, ka vazhduar me aktivitetin intensiv me ligjërata nga profesorë dhe ekspertë të njohur.
Në modulin e ANV-së “Konkurset e Arkitekturës”, që nisi punimet sot për herë të parë në kuadër të këtij edicioni, është ligjëruar për temën “Çështja e rëndësisë së konkurseve publike në fushën e arktiekturës”, për të cilën ligjëruan ligjëruesit Arbër Sadiki dhe Rron Tresi.

Në UBT fillon punimet ANV-ja e Konkursit të Arkitekturës, ku trajtohen temat rreth “Publikut dhe Arkitekturës”.
Ata ligjëruan për procesin e konkurrimit në konkurset e mirëfillta, rëndësinë e pjesëmarrjes dhe atë të publikimit në platformën online.
Në përfundim, me studentët u diskutua rreth veprimeve që duhet të ndërmerren që të përmirësohet niveli i arkitekturës në vendin tonë.

Në modulin tjetër, profesori Artan Behluli sqaroi për pjesëmarrësit procesin e dizajnimit, të materialeve, teknikave dhe prezantimit përmes modeleve në Arkitekturë, teksa u njohën edhe me historikun e modelimit, mjetet e punës që përdoren për modelim, teknikat themelore të montimit dhe përbërësit e modelit.
Pas tij, Betim Vitija nga COCRA-Concrete Crafts, në Prishtinë i njoftoi studentët me anën praktike në punën me Printerët Tredimensional.

Gjatë kësaj dite u trajtua edhe çështja e përdorimi të softuerit “Archicad”, për krijimin e modelit të energjisë së ndërtimit dhe strategjive pasive për të përmirësuar performancën energjetike të ndërtesave, që ishte edhe modul në vete në kuadër të ANV-së.
Me këtë rast u trajtuan tema të tilla si: “Çka është BIM?”, “Çka është BEM?” dhe “Çka janë strategjitë pasive?”.
Profesori Ferhat Bejtullahu trajtoi problemet tipike në industrinë e ndërtimit, procesin BIM, ndikimin e BIM-it në problemet e industrisë, ndikimin e faktorëve të jashtëm dhe të brendshëm klimatikë, si dhe strategjitë aktive dhe pasive.

Në kuadër të modulit “Mobile të brendshme në arkitekturë, ligjëruesi Zekë Islamaj trajtoi dallimet mes arkitekturës së brendshme dhe dizajnit të brendshëm, kurse në veçanti u shtjellua çështja e mobileve në arkitekturë, evoluimi në kohëra të ndryshme në historinë e tyre, e deri tek kohët moderne të punimit të mobileve.

Në modulin e Arkitekturës Digjitale, nga ligjëruesi Faton Spahiu, pjesëmarrësve u tregoi rreth punës me programin e Ilustrator-it, përfshirë edhe krijimin e diagrameve dhe dizajnimin e objekteve.
Po ashtu, gjatë kësaj ligjërate studentët u njoftuan edhe me ndarjen e funksioneve për punët e bëra në këtë softuer.

Nesër ANV-ja e Arkitekturës do të vazhdojë punën me fillim nga ora 09:00.