Anisa Rada e UBT-së, trajnere në projektin “Qeverisja e të drejtave të fëmijëve”

15/09/2017

Studentja e nivelit master, në Fakultetit Media dhe Komunikim në UBT, njëherësh edhe tutore në nivelin bachelor në po të njëjtin fakultet, Anisa Rada është duke marrë pjesë në cilësinë e trajneres në trajnimin e organizuar nga OJQ-të, “Nevo Koncepti” dhe “Save the Children International”, në Kosovë.

 

Gjatë këtij trajnimi, Rada është duke ligjëruar për nxënësit përfaqësues të të gjitha shkollave fillore të Prizrenit, përzgjedhja e të cilëve është bërë nga këshilli i nxënësve të shkollave, nëpër të cilat ata e vijojnë mësimin.


Gjatë ditës së parë, ajo po trajton temën më titull: “Media dhe Komunikimi”, në kuadër të së cilës, nxënësit po informohen mbi konceptin e komunikimit, llojet, elementet përbërëse të komunikimit, pastaj për përkufizimin e mediave, llojet dhe dallimet mes tyre etj.
Kurse, nesër, gjatë ditës së dytë të trajnimit, Rada do të ligjërojë për temën: “Rrjetëzimi dhe përdorimi i rrjeteve sociale”, ku në kuadër të saj do të trajtojë kuptimin e rrjeteve sociale, përdorimin e tyre, rreziqet që vijnë nga përdorimi i tepërt i rrjeteve sociale, ngacmimet online, të ardhmen e rrjeteve sociale etj., teksa në fund, për këta nxënës, nën menaxhimin e saj, do të mbahet edhe një punëtori e thjeshtë mbi temat e trajtuara gjatë ligjëratave.

 

Vlen të theksohet se studentja Anisa Rada është përzgjedhur nga organizatorët e këtij trajnimi, si më e kualifikuara për këtë pozitë, falë studimeve, por edhe përvojës profesionale që e ka fituar gjatë punës si tutore me studentët e nivelit bachelor.

Me këtë rast, ajo tha se një përvojë e tillë do të mbetet gjatë në kujtesën e saj dhe shprehet e lumtur që i është ofruar mundësia që t’i përçojë njohuritë e saj tek nxënësit e shkollave fillore, të cilët nuk kanë shumë informacione mbi këto tematika.

 

Trajnimi po mbahet në kuadër të projektit “Qeverisja e të drejtave të fëmijëve”, organizimi i të cilit është bërë falë bashkëpunimit mes OJQ-së “Nevo Koncepti” dhe “Save the Children International”.