Ambasadorja e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barišić zhvilloi një ligjëratë tematike me studentët e UBT-së

04/05/2024

Në UBT, qëndroi për vizitë Ambasadorja e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barišić, e cila në kuadër të sesioneve të Institutit të Ballkanologjisë, zhvilloi një ligjëratë tematike me studentët e Shkencave Politike.

Tema e ligjëratës ishte “Rruga e Kroacisë drejt Integrimeve Euroatlantike”, një temë e cila përqendrohet tek pesha e bashkëpunimit rajonal dhe në sfidat që vendet e Ballkanit përballen në rrugën drejt anëtarësimit në strukturat euroatlantike.

Ambasadorja Barišić ndau përvojën dhe perspektivën e Kroacisë në këtë rrugë të gjatë dhe sfiduese, duke dhënë një shpresë dhe frymëzim të veçantë për studentët që po përballen me studimin e temave të tilla të rëndësishme.

Ngjarja shfaqi edhe lidhjet në mes dy vendeve Kosovë dhe Kroaci, dhe gjithashtu përmirësoi njohuritë dhe ndërgjegjësimin e studentëve për sfidat dhe mundësitë që ofrojnë proceset e integrimit euroatlantik.

Gjatë këtij semestri Instituti ka planifikuar ligjëratat e tjera për tema të ndryshme, duke ofruar emra të rëndësishëm nga fushat e shkencës, diplomacisë, politikës dhe publicistikës.