Akreditohet Shkolla e Mesme e Mjekësisë në UBT

20/08/2021

Shkolla e Mesme e Mjekësisë e UBT-së është akredituar nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve, me katër drejtime: Asistent Dentar, Bashkëpunëtor Profesional i Infermierisë, Teknik i Farmacisë dhe Teknik i Laboratorit Mjekësor.

 

Tani, Fakultetit të Shkencave Mjekësore në UBT, i bashkohet edhe shkollimi i mesëm profesional në fushën e mjekësisë, duke kompletuar zinxhirin e ekosistemit të UBT-së, si një institucion lider i arsimit, në Kosovë dhe rajon.

 

Shkolla e Mesme e Mjekësisë, do të jetë një shkollë model e cila do të vendoset në Parkun Shkencor dhe Inovativ të UBT-së, i cili është i pajisur me laboratorët më të fundit mjekësorë të të gjitha fushave, ku nxënësit vijues do të kenë mundësi që krahas ligjëratave kurrikulare të bëjnë edhe praktikën e përditshme profesionale.

 

Krahas kësaj, Poliklinika e UBT-së, ka teknologjinë më bashkëkohore për secilën prej këtyre fushave, duke përfshirë ambulancë moderne stomatologjike, laboratorin me aparaturat më të fundit të analizave biokimike, barnatoren, si dhe shërbimin e përditshëm mjekësor.

 

Kjo infrastrukturë super moderne dhe e kompletuar bashkë me kuadrin më të mirë të mësimdhënësve e me përkujdesjen e jashtëzakonshme të profesionistëve mjekësorë do të nxjerrë kuadrot më të mira dhe më të përgatiturat profesionalisht në këto fusha në Kosovë.

 

Shkolla e Mesme e Mjekësisë, krahas mësimit kurrikular ofron edhe kurse të licencuara të gjuhës gjermane dhe gjuhës angleze, si dhe kurse të tjera profesionale, që do të ndihmojnë jashtëzakonisht shumë në formimin profesional të nxënësve.