Akademia Verore e Stomatologjisë në UBT nisi punimet me fokus inovacionin dhe transformimin digjital në kujdesin dentar

06/07/2026

 

Në UBT kanë filluar aktivitetet e Akademisë Verore 2026 të Stomatologjisë, e cila këtë vit ka mbledhur studentë, profesorë, stomatologë dhe profesionistë të fushës për të diskutuar zhvillimet më të fundit në teknologjinë dentare dhe praktikat bashkëkohore klinike.

Aktiviteti nisi me regjistrimin e pjesëmarrësve, ceremoninë hapëse dhe fjalët përshëndetëse të Prof. Ass. Dr. Agim Prokshajt dhe Prof. Ass. Dr. Blertë Zylfiu-Latifit, të cilët theksuan rëndësinë e Akademisë Verore si një platformë për shkëmbimin e njohurive, promovimin e inovacionit dhe fuqizimin e bashkëpunimit ndërmjet studentëve, akademikëve dhe profesionistëve të stomatologjisë.

Në sesionin e parë, të moderuar nga Prof. Ass. Dr. Agim Prokshaj dhe Prof. Ass. Dr. Jeta Kiseri-Kubati, u trajtuan tema që lidhen me transformimin digjital dhe teknologjitë moderne në ortodonci dhe stomatologji.

Dr. Fatbardha Mustafa prezantoi ligjëratën me temën “Alignerët ortodontikë: planifikimi digjital, protokollet e printimit dhe sfidat klinike”, duke trajtuar përparësitë dhe sfidat e përdorimit të alignerëve në praktikën bashkëkohore.

Më pas, Asja Salihu prezantoi temën “Transformimi digjital në Stomatologji: krahasimi i teknikave të marrjes së masës”, ku u diskutuan teknologjitë më të avancuara që po ndryshojnë mënyrën e diagnostikimit dhe trajtimit në praktikën dentare.

Në vazhdim, Shpresa Mustafa dhe Gjeraqina Jusaj trajtuan temën “Mikroplastikat në alignerët ortodontikë”, duke prezantuar gjetje dhe diskutime mbi ndikimin e materialeve moderne në shëndetin oral dhe mjedis.

Aktiviteti vijoi me sesionin e dytë, të moderuar nga Prof. Ass. Dr. Burim Kiseri dhe Prof. Ass. Dr. Genc Demjaha, ku u prezantuan tema që pasqyruan zhvillimet më të reja në laboratorët dentarë dhe integrimin e teknologjive digjitale në praktikën profesionale.

Në këtë sesion, tekniku dentar Sead Daci mbajti ligjëratën “Press-qeramika në praktikën dentare laboratorike”, duke prezantuar përparësitë e materialeve qeramike dhe aplikimin e tyre në restaurimet moderne dentare.

Më tej, Lis Ameti prezantoi temën “Bashkëpunimi dhe komunikimi ndërmjet stomatologut dhe teknikut dentar në epokën digjitale”, duke theksuar rëndësinë e koordinimit profesional dhe përdorimit të platformave digjitale për të siguruar trajtime sa më cilësore për pacientët.

Ornela Lezi trajtoi temën “Roli i printimit 3D në teknikën dentare moderne”, ku u prezantuan mundësitë që ofron kjo teknologji në rritjen e saktësisë, efikasitetit dhe personalizimit të punimeve dentare.

Sesioni u përmbyll me prezantimin e teknikes dentare Floriana Kroni, e cila foli për “Inovacionet teknologjike në prodhimin e endokurorave”, duke paraqitur teknikat dhe materialet moderne që po transformojnë restaurimet dentare.

Akademia Verore e Stomatologjisë në UBT do të vazhdojë edhe në ditët në vijim me ligjërata, diskutime shkencore dhe prezantime profesionale, duke ofruar një platformë të rëndësishme për avancimin e njohurive, shkëmbimin e përvojave dhe promovimin e inovacionit në fushën e stomatologjisë.